Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se gjatë ditës së zgjedhjeve nuk lejohet lëshimi i vërtetimeve mjekësore, pasi institucionet publike nuk punojnë dhe nuk mund të lëshojnë dokumente zyrtare të dielave.
Sipas KQZ-së, çdo rast i dyshuar që lidhet me lëshimin ose përdorimin e dokumenteve të tilla gjatë procesit zgjedhor raportohet tek organet kompetente, përkatësisht në Policinë e Kosovës.
Reagimi i KQZ-së vjen pas raportimeve për një incident në Kamenicë, ku një qytetare është përballur me vështirësi gjatë procesit të votimit. Sipas informacioneve të bëra publike, asaj i është kërkuar një vërtetim mjekësor i lëshuar para një jave, çka ka shkaktuar paqartësi dhe ka bërë që ajo të mbetet për një kohë në kabinën e votimit.
Autoritetet zgjedhore kanë theksuar se procedurat duhet të zbatohen në përputhje me rregullat ligjore dhe se çdo parregullsi eventuale do të trajtohet nga institucionet përgjegjëse.
Procesi i votimit po vazhdon në të gjithë Kosovën, ndërsa KQZ-ja u ka bërë thirrje qytetarëve dhe komisionerëve që të respektojnë rregullat për të garantuar një proces të rregullt dhe transparent.

