Policia ka arrestuar një 51-vjeçar nga fshati Taor i Shkupit, i dyshuar për vrasjen e një gruaje 48-vjeçare.
Sipas MPB-së, më 26 qershor ai kishte raportuar në polici se gruaja, me të cilën jetonte në të njëjtën shtëpi, ishte larguar nga shtëpia. Një ditë më vonë, më 27 qershor, ai njoftoi se e kishte gjetur të vdekur pranë fshatit Letevc.
Në vendngjarje kanë dalë policia dhe prokurori publik. Trupi, i cili ishte në fazë dekompozimi, me urdhër të prokurorit është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Pas marrjes në pyetje, 51-vjeçari është arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprën penale “vrasje”. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar edhe tre persona të tjerë: Z.M. (62), G.B. (64) dhe M.D. (69).
Nën koordinimin e Prokurorisë Publike, po ndërmerren masa për zbardhjen e plotë të rastit.

