Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është dërguar në Spitalin Hadassah në Ein Kerem, pranë Jerusalemit, për “kujdes dentar”, sipas një deklarate të zyrës së tij.
Zyra e kryeministrit konfirmoi se vizita në spital u krye pas raportimeve të mediave izraelite se Netanyahu ishte shtruar për trajtim mjekësor. Nuk janë dhënë detaje të mëtejshme mbi gjendjen e tij, përveç se bëhej fjalë për kujdes rutinë.
Shëndeti i 76-vjeçarit Netanyahu ka qenë më herët në vëmendjen e mediave, pasi muajin e kaluar ai njoftoi se i ishte nënshtruar radioterapisë për trajtimin e një kanceri të prostatës në fazë të hershme, pa specifikuar kohën e saktë të trajtimit.
Kryeministri izraelit ka deklaruar më herët se publikimi i informacionit mjekësor ishte vonuar për rreth dy muaj, me argumentin se dëshironte të shmangte, sipas tij, “propagandën kundër Izraelit” nga Irani në një periudhë lufte.
Në vitet e fundit, Netanyahu i është nënshtruar edhe ndërhyrjeve të tjera mjekësore, përfshirë vendosjen e një stimuluesi kardiak në korrik 2023 dhe një operacion në prostatë në vitin 2024.


