Kryeprokurori i Shtetit dhe Ambasadori i Gjermanisë flasin për forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës

Kryeprokurori i Shtetit, z. Zejnulla Gashi, priti në takim Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, z. Rainer Rudolph dhe Këshilltarin Politik të Ambasadës, z. Payam Ghalehdar.

Fillimisht, Ambasadori Rudolph e uroi Kryeprokurorin Gashi për detyrën e re, duke i ofruar bashkëpunim në fushat që ka nevojë institucioni i Prokurorit të Shtetit.

Kryeprokurori i Shtetit dhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë zhvilluan diskutime konstruktive për çështjet që lidhen me forcimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës, me theks të veçantë në luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si një element kyç në rrugën drejt integrimit evropian.

Po ashtu, pjesë e diskutimeve të përbashkëta ishte edhe nevoja e intensifikimit të bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe institucioneve ligjzbatuese gjermane; forcimi i pavarësisë institucionale; reformat e planifikuara nga Kryeprokurori i Shtetit në funksion të avancimit të proceseve të punës; integrimi i komuniteteve joshumicë në sistemin prokurorial; mbështetja institucionale për investitorët e huaj që investojnë në Republikën e Kosovës, si dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Kryeprokurori i Shteti, z. Zejnulla Gashi, dhe Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Republikën e Kosovës, z. Rainer Rudolph, theksuan rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit institucional edhe në të ardhmen.

By admin4