Kryetari i Komisionit Kadrovik të VLEN-it, Bashkim Murtezi jep doreheqje

Kryetari i Komisionit Kadrovik të VLEN-it, Bashkim Murtezi, ka njoftuar se po tërhiqet nga funksionet politike, duke theksuar se pas pesë vitesh angazhim e konsideron të përmbushur misionin e tij dhe se është koha që rrugën ta vazhdojnë energji të reja.
Në një reagim publik, Murtezi kujton angazhimin e tij në Alternativë dhe më pas në VLEN, duke veçuar rolin në krijimin e opozitës së bashkuar, negociatat për formimin e qeverisë dhe drejtimin e Komisionit Kadrovik të koalicionit.

Ai thekson se gjatë këtij angazhimi janë realizuar mbi 2.400 punësime dhe qindra avancime.
“Duke bërë që përfaqësimi i shqiptarëve dhe i subjekteve tona të ishte i drejtë në çdo nivel të qeverisjes. Jam shumë i vetëdijshëm se çdo sukses nuk është fryt i një individi. Çdo arritje është rezultat i një ekipi, i një besimi dhe i një qëllimi të përbashkët. Prandaj, çdo meritë e ndaj me secilin bashkëveprimtar në VLEN, me ata që qëndruan në radhë me bindje dhe përkushtim.
Murtezi nënvizon se nuk ka kërkuar poste apo funksione ekzekutive, pasi, sipas tij, politika është shërbim dhe jo karrierë.
“Ka ardhur koha të vendos një pikë në këtë kapitull të jetës sime politike. Jo si një largim nga ideali, por si një përmbyllje e një misioni që e kam marrë me përgjegjësi dhe përkushtim”, shkruan ai.
Në fund të mesazhit, Murtezi falënderon aktivistët dhe bashkëpunëtorët e VLEN-it për mbështetjen ndër vite, duke theksuar se edhe pse largohet nga pozitat, do të vazhdojë të mbështesë idealet dhe parimet mbi të cilat, sipas tij, është ndërtuar koalicioni.

By admin7