Gostivari sot është një nga komunat me ritmin më të lartë të investimeve dhe realizimit të projekteve në vend. Për dy mandate të përfunduara dhe në mandatin e tretë, administrata komunale ka qenë vazhdimisht në terren, me angazhim të përditshëm në shërbim të qytetarëve. Sot, në shumë pjesë të qytetit zhvillohen punime njëkohësisht, në infrastrukturë, mjedis, arsim, sport, kulturë dhe shërbime publike.

Pikërisht ky ritëm pune duket se ka shqetësuar pushtetin qendror.

Fillimisht u përdorën etiketime, linçime politike dhe përpjekje për ta diskredituar udhëheqjen komunale, me shpresën se qytetarët do t’ia kthenin shpinën. Kur kjo nuk ndodhi, filluan presionet institucionale.

Rasti më i qartë ishte ndërhyrja në kompetencat e Komunës së Gostivarit për emërimin e të besuarit të qeverisë, edhe pse Këshilli Komunal kishte marrë vendim sipas kompetencave të tij ligjore.

Ndërkohë, në raste të tjera, si ai i Komunës së Bërvenicës, u pranua pa kundërshtim që Këshilli Komunal të emërojë ushtrues detyre. Atëherë lind pyetja: a vlejnë ligjet njësoj për të gjitha komunat, apo ndryshe për Gostivarin?

Kur ndaj një komune të vetme opozitare mobilizohet e gjithë makineria politike, ministra, institucione shtetërore, media pranë pushtetit dhe deri vetë kryeministri, për të gjetur qoftë edhe gabimin më të vogël lokal, kjo nuk mund të quhet rastësi. Kjo krijon përshtypjen e një presioni të vazhdueshëm politik.

Gostivari është një nga komunat më të mëdha në vend dhe komuna urbane me shumicë shqiptare. Prandaj çdo sukses i saj ka peshë politike dhe institucionale. Pikërisht për këtë arsye, çdo arritje shpesh minimizohet, ndërsa çdo sfidë zmadhohet.

Qytetarët e Gostivarit nuk kërkojnë privilegje. Ata kërkojnë vetëm trajtim të barabartë, respektim të ligjit dhe mbështetje të njëjtë si çdo komunë tjetër në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Shteti i së drejtës nuk matet me mënyrën se si trajton komunat që janë në pushtet, por me mënyrën se si trajton komunat që udhëhiqen nga opozita. Nëse standardet ndryshojnë sipas përkatësisë politike, atëherë nuk kemi barazi para ligjit, por standarde të dyfishta.

Gostivari nuk duhet të pengohet sepse zhvillohet. Përkundrazi, një shtet serioz duhet ta mbështesë çdo komunë që punon dhe jep rezultate, pavarësisht se kush e udhëheq atë. Në fund, fituesit e vetëm duhet të jenë qytetarët.

By admin7