Pajtim në parim për të lidhur koalicion, në takimin e së premtes, kanë arritur Albin Kurti me Lumir Abdixhikun dhe Vjosa Osmanin. Siç është informuar KOHA dakordimi përfshinë ndarjen e tri pozitave kryesore të shtetit. Megjithatë për të marrë zyrtarizimin, palët po presin zhvillimet brenda LDK-së
Në takimin e disa ditëve më parë që zgjati më shumë se dy orë, Lumir Abdixhiku, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti janë marrë vesh në parim për formimin e institucioneve dhe ndarjen e pozitave në to.
Zyrtarisht kjo nuk është konfirmuar nga asnjëri subjekt, por sipas informatave që ka siguruar KOHA, Lidhja Demokratike do të përfshihet në koalicion qeverisës duke marrë zëvendëskryeministrin e parë dhe tri Ministri. Gjithashtu, sipas burimeve të KOHËS, LDK-ja do ta marrë edhe pozitën e kryetarit të Kuvendit.
Ndërsa emrin e presidentit do ta propozojë Vetëvendosje.
“Marrëveshja është arritur, por ky pajtim mes palëve ende nuk është zyrtarizuar për shkak të problemeve brenda LDK-së”, ka bërë të ditur burimi i KOHËS.
Nga grupi prej 18 deputetëve, pakënaqësi me Abdixhikun kanë shprehur gjashtë deputetë: Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Kujtim Shala, Armend Zemaj, Janina Ymeri dhe Arben Gashi.
KOHA i ka kontaktuar të gjashtët nëse do ta mundësojnë kuorumin për president në rast të një dakordimi LVV-LDK. Është përgjigjur vetëm Ymeri, e cila ka mohuar se ka marrëveshje të tillë.
“Ka kohë për këtë përgjigje. Nuk është arrit asnjë marrëveshje deri më tani”, ka deklaruar Ymeri.
Nëse të gjithë këta nuk pajtohen që së paku të qëndrojnë së sallë kur të votohet presidenti, atëherë marrëveshja nuk do të jetësohet.
Në zgjedhjet e 7 qershorit Vetëvendosje, që doli e para, siguroi 53 mandate. LDK-ja, doli e treta dhe fitoi 18 ulëse në Kuvend.



