Kryeministri i Republikës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce.
Ai tha se me të bisedoi për zhvillimet politike e të sigurisë, marrëdhëniet Kosovë–Serbi, shqiptarët në Luginën e Preshevës dhe perspektivën euroatlantike të republikës sonë.
“Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi”.
Postimi i plotë:
E falënderova për qëndrimin e qartë të Mbretërisë së Bashkuar kundër glorifikimit të kriminelëve të dënuar të luftës dhe vlerësova mbështetjen e saj të palëkundur për sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Shpreha shqetësimin për dënimet e rënda dhe të padrejta ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së në shkallën e parë të Dhomave të Specializuara. Procesi nuk ka përfunduar dhe presim që në apel të adresohen padrejtësitë dhe mangësitë e këtij aktgjykimi.
Me Mbretërinë e Bashkuar na lidh historia e çlirimit dhe shtetndërtimit, por edhe e ardhmja jonë e përbashkët euroatlantike. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, statusi i vendit kandidat për BE-në dhe thellimin e bashkëpunimit në siguri e mbrojtje ishin po ashtu pjesë e diskutimit të sotëm me znj. Pierce.
Meqë nesër Dame Karen feston ditëlindjen, pata kënaqësinë t’ia uroja paraprakisht dhe t’i dhuroja një kujtim nga Republika e Kosovës.



