Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka folur para takimit me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Ai ka bërë me dije se në këtë takim do të shkojë me vullnet të mirë dhe gatishmëri për arritjen e një marrëveshjeje.
Sipas tij, ka qenë i nevojshëm edhe një takim me PDK-në.
“Synimi ynë është që të bëhet konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të. Fatkeqësisht, dy partitë e tjera nuk e konsideruan të nevojshme apo të arsyeshme që të takohemi. Unë mendoj ndryshe. Përderisa me AAK-në nuk jemi takuar fare, besoj që ka pasur shumë nevojë që të takohemi përsëri me kryetarin e PDK-së. Tash, unë do të shkoj atje me ministrin e Financave, që njëkohësisht është anëtar i Kryesisë së Vetëvendosjes, Hekuran Muratin”, ka thënë Kurti, duke shtuar se LDK-ja synon zhbllokimin e procesit të formimit të institucioneve.
“Ndërkaq nga ana tjetër, në formatin një plus një do të jetë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kryetari Lumir Abdixhiku me bashkëpunëtor, dhe ne dëshirojmë që sa më parë të konstituohet Kuvendi, të zgjidhet Qeveria dhe ta zgjedhim Presidentin, meqenëse siç kemi thënë më herët, siç nuk kemi pasur nevojë për zgjedhjet e kaluara, nuk kemi nevojë as që ato të ardhshme të jenë para vitit 2030. Pra, kemi nevojë për cikle të rregullta zgjedhore, ku çdo katër vjet një qeveri qeveris dhe më pastaj vlerësohet tek populli si burim i sovranitetit, i cili na bën përgjegjës e llogaridhënës në Republikën tonë demokratike e parlamentare”, është shprehur ai.



