Kurti pas takimit të paparalajmëruar me Abdixhikun: Kur të kemi rezultate, do të kemi lajme

Ka përfunduar takimi mes kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, në kuadër të përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Takimi, i cili zgjati rreth një orë dhe nisi rreth orës 20:00, u zhvillua edhe në praninë e presidentes Vjosa Osmani.

Pas daljes nga takimi, Kurti nuk dha detaje për ecurinë e bisedimeve, duke u kufizuar me një deklaratë të shkurtër para gazetarëve.

“Kur të kemi rezultate nga ana jonë, do të kemi lajme edhe për ju”, u shpreh ai.

Ky ishte takimi i dytë brenda pak ditësh mes Kurtit dhe Abdixhikut. Në takimin e së mërkurës, të dy liderët kishin konfirmuar se për herë të parë kishin diskutuar edhe emra konkretë për postin e presidentit, por pa i bërë publikë, duke u thirrur në ndjeshmërinë e procesit të negociatave.

By admin7