Kurti, senatores Ernst: Bondsteeli të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Kosovë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim senatoren amerikane, Joni Ernst.

Kurti tha se senatorja Ernst është një nga miket e mëdha të Kosovës dhe ndër avokueset më të zëshme në ShBA-së, të cilën tha se e falënderoi për mbështetjen dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në thellimin e partneritetit midis dy vendeve tona.

Në takim, Kurti tha se është biseduar për, siç thotë, “progresin e dukshëm që Kosova ka shënuar në rritjen ekonomike dhe përmirësimin e situatës së brendshme të sigurisë”.

Po ashtu, kryeministri në detyrë i ka thënë senatores amerikane se kampi Bondsteel duhet të mbetet përgjithmonë në Kosovë.

“Kampi Bondsteel duhet të shndërrohet në prezencë të përhershme ushtarake në Republikën tonë. Një prezencë e tillë do të shërbente si garantuese për paqe dhe siguri në Kosovë dhe rajon, si dhe një bazë strategjike për operacionet e NATO-s në Evropën Juglindore”, tha Kurti në një postim në Facebook.

Po ashtu, kryeministri në detyrë tha se kanë biseduar edhe për situatën politike në vend dhe për rëndësinë e vazhdimit të diskutimeve me partitë politike parlamentare për të arritur një marrëveshje për formimin e institucioneve. /Klankosova.tv

By admin7