Kurti: Shteti do të bënte më shumë me një ekip mbrojtës për ish-krerët e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti është zotuar se Qeveria e Kosovës do t’i mbështesë avokatët e ekipeve mbrojtëse të katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Apel në Gjykatën Speciale në Hagë, pasi ata u dënuan me 81 vjet burgim në shkallën e parë.

I pyetur nga një studente shqiptare gjatë vizitës së tij në SHBA se cila është strategjia, Kurti tha se shteti do të kishte bërë më shumë po të kishte vetëm një ekip mbrojtës për të katërtit.

“Shteti i Kosovës mund të kishte bërë më shumë nëse do të kishte pasur një ekip të përbashkët për të katër liderët e UÇK-së. Por nuk ndodhi kështu”, tha ai, siç dëgjohet në një video të publikuar nga VOX Kosova.

“Secili prej liderëve të UÇK-së mori avokatin e tij mbrojtës, ekipin e tij. Kështu që kishim katër ekipe të ndryshme. Dhe është goxha e vështirë për Qeverinë të angazhohet kur ke katër ekipe të ndryshme”, tha Kurti.

Kreu i Qeverisë së Kosovës përmendi se ai vetë s’e ka njohur gjykatën e Serbisë kur është gjykuar, por tha se avokatët e ish-krerëve të UÇK-së, “kishin një qëndrim tjetër”.

“Më njihni shumë mirë. Unë nuk e njoha gjykatën e Serbisë ose të UNMIK-ut kur më gjykuan mua”, tha ai.

“Avokatët mbrojtës të të katër liderëve të UÇK-së kishin një qëndrim tjetër. Ata mendonin se duke punuar ngushtë me Dhomat e Specializuara do të arrinin një rezultat pozitiv”, tha Kurti.