Kurti thotë se s’kemi situatë të re: Po shkojmë në zgjedhje për ta përsëritur rezultatin

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është deklaruar sot për zhvillimet e fundit politike në vend.

Ai tha se partitë poitike kanë afat deri më 12 maj për dorëzimin e listave të kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kurti deklaroi se kanë mbetur edhe pesë ditë deri në përmbylljen afatit, teksa paralajmëroi mbajtjen e Mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm dhe dy mbledhjeve të Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje.

Kurti deklaroi se aktualisht nuk mund të flasë për emrat që do të jenë pjesë e listës zgjedhore.

“Nuk mund të flas për emra se kush do të jetë në listë, por ne jemi duke e zbatuar programin dhe zotimet me të cilat i kemi fituar zgjedhjet e 28 dhjetorit”, tha ai.

Sipas tij, vendi nuk ndodhet në një situatë të re politike, por vetëm po shkon në zgjedhje të reja, duke kujtuar se zgjedhjet e fundit janë mbajtur vetëm katër muaj më parë.

“Nuk mund të themi që kemi situatë të re, por vetëm zgjedhje të reja sepse para katër muajsh patëm zgjedhje”, tha ai.

Kurti shtoi se opozita kishte bojkotuar procesin e mëparshëm dhe se Vetëvendosje synon ta përsërisë rezultatin elektoral.

“Pasi opozita i bojkotoi zgjedhjet, po shkojmë për ta përsëritur rezultatin”, përfundoi Kurti.

By admin7