Kompanitë serbe po përfitojnë përkohësisht nga eksporti i mallrave në Shtetet e Bashkuara pa tarifa doganore, ndërsa Beogradi dhe Uashingtoni vazhdojnë negociatat për një marrëveshje tregtare.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi për RTS se tarifat për mallrat serbe aktualisht janë 0% dhe do të mbeten të tilla “për një farë kohe”, deri në përfundimin e bisedimeve mes dy vendeve.
Ai tha se pret që pas përfundimit të negociatave, norma përfundimtare e tarifave të jetë ndërmjet 10 dhe 12 për qind, dukshëm më e ulët se tarifa prej 35 për qind, e cila sipas autoriteteve serbe ishte në fuqi më parë. transmeton faktiditor.info
Sipas Vuçiçit, ky zhvillim do t’u japë një avantazh të madh eksportuesve serbë në tregun amerikan dhe do ta bëjë Serbinë më tërheqëse për investitorët e huaj që synojnë të prodhojnë në vend dhe të eksportojnë drejt SHBA-së.
Ai theksoi se tarifat e larta kishin qenë një pengesë serioze në bisedimet me investitorë nga Japonia dhe vende të tjera aziatike, ndërsa tani pret investime të reja me vlerë qindra miliona dollarë nga kompani japoneze, koreane, amerikane dhe investitorë që tashmë operojnë në Serbi.
Më herët, Serbia ishte prekur nga tarifat speciale amerikane për produkte strategjike si çeliku, alumini, bakri dhe automjetet, gjë që ndikoi negativisht në konkurrueshmërinë e eksporteve serbe.
Sipas Vuçiçit, pala amerikane po shqyrton disa çështje tregtare, përfshirë praktikat tregtare, produktet farmaceutike, taksat digjitale dhe masat kundër punës së detyruar. Ai shtoi se Serbia nuk është përfshirë në shumicën e kufizimeve të reja.
Heqja e përkohshme e tarifave konsiderohet një mundësi e rëndësishme për rritjen e eksporteve dhe tërheqjen e investimeve të reja, ndërsa rezultati përfundimtar do të varet nga marrëveshja që do të arrihet mes Beogradit dhe Uashingtonit.
Aksion policor në Haraçinë: Kapen mbi 2 kilogramë marihuanë, arrestohet 25-vjeçari



