Ministrja e mjedisit e Libanit ka akuzuar ushtrinë izraelite për kryerjen e “një akti ekocidi” në parathënien e një raporti që përshkruan dëmet e shkaktuara ndaj burimeve natyrore të vendit gjatë pushtimit të viteve 2023–2024.
Sipas raportit, agresioni ushtarak izraelit “riformësoi si peizazhin fizik ashtu edhe atë ekologjik” të Libanit jugor. Raporti nuk trajton ndikimet e sulmeve më të fundit të Izraelit këtë pranverë.
I publikuar në një periudhë armëpushimi të brishtë, ndërsa refugjatët po kthehen në shtëpi dhe komunitete të shkatërruara nga pushtimi i fundit izraelit, raporti prej 106 faqesh përshkruan se si Libani jugor ka pësuar një prishje të thellë ekologjike dhe humbje të shërbimeve thelbësore të ekosistemit.
Në parathënien e saj, Tamara el Zein tha: Shkalla dhe qëllimësia e dëmeve ndaj pyjeve, tokave bujqësore, ekosistemeve detare, burimeve ujore dhe cilësisë së ajrit përbëjnë atë që duhet të njihet si një akt ekocidi, me pasoja që shtrihen shumë përtej shkatërrimit të menjëhershëm. Dëmi mjedisor me të cilin përballemi nuk është thjesht ekologjik është çështje e shëndetit publik, sigurisë ushqimore, jetesës, strukturës sociale dhe qëndrueshmërisë kombëtare.
Sipas raportit, sulmet e forcave izraelite:
Dëmtuan 5 mijë hektarë (12,350 akra) mbulesë pyjore, duke përfshirë pyje me gjethe të gjera, pisha dhe pisha guri, duke shkatërruar habitatet, prishur klimën lokale dhe shkaktuar erozion të tokës.
Shkatërruan 118 milionë dollarë (87 milionë £) asete fizike bujqësore, përfshirë të mbjella, objekte blegtorale, burime pyjore, peshkim dhe infrastrukturë akuakulture.
Shkaktuan humbje të mëtejshme prej 586 milionë dollarësh (433 milionë £) në prodhimin bujqësor si pasojë e ndërprerjes së korrjeve dhe uljes së rendimenteve.
Shkatërruan 2 mijë e 154 hektarë (5,320 akra) pemishte, përfshirë 814 hektarë ullishte dhe 637 hektarë plantacione agrumesh, si dhe dëmtuan gjerësisht plantacionet e bananes.
Kontaminuan tokat me përqendrime fosfori deri në 1 mijë e 858 pjesë për milion, me zona të veçanta ndotjeje në Libanin jugor dhe në Luginën e Bekaa-s në lindje.
Shkaktuan episode të gjera të ndotjes së ajrit që u shtrinë përtej zonave të goditjeve, duke çliruar grimca, okside squfuri dhe azoti, si dhe përbërje toksike si dioksina dhe hidrokarbure aromatike policiklike.
Kritikët e Izraelit argumentojnë se ai po përsërit “modelin e Gazës” në Libanin jugor, duke lëshuar urdhra evakuimi për popullsinë civile, duke shënjestruar spitale dhe personel mjekësor, duke shkatërruar fshatra të tëra, infrastrukturë ujore dhe duke vrarë punonjës të medias.
Brenda disa muajsh nga fillimi i luftës në Gaza në vitin 2023, forcat izraelite kishin shkatërruar rreth 38–48% të mbulesës pyjore dhe tokës bujqësore, duke kthyer ullishtat dhe fermat në tokë të ngjeshur, duke ndotur ujërat nëntokësore dhe duke ndotur ajrin me tym dhe grimca.
Sipas raportit të ri, të përgatitur nga Këshilli Kombëtar për Kërkime Shkencore i Libanit (CNRS-L) dhe që mbulon periudhën tetor 2023 dhjetor 2024, Libani jugor është trajtuar në mënyrë të ngjashme nga ushtria izraelite. Raporti thekson: Gjurma mjedisore e luftës është e dukshme në shkatërrimin e pyjeve dhe zonave të pyllëzuara, shumë prej të cilave ishin pika të rëndësishme biodiversiteti dhe thithëse të karbonit, si dhe në djegien e tokave bujqësore, përfshirë pemishtet me vlerë të lartë dhe kulturat bazë, duke dëmtuar si jetesën ashtu edhe sigurinë ushqimore kombëtare.
Në total, kostoja e dëmit për vendin vlerësohet në rreth 25 miliardë dollarë (18 miliardë £), duke përfshirë 6.8 miliardë dollarë dëme fizike, 7.2 miliardë dollarë humbje ekonomike dhe 11 miliardë dollarë për rikuperim dhe rindërtim.
“Libani nuk mund ta mbajë këtë barrë i vetëm”, tha El Zein. “Ne kërkojmë solidaritet dhe mbështetje ndërkombëtare për të ndarë përgjegjësinë e rimëkëmbjes mjedisore. Shkalla e dëmit dhe kostot e restaurimit kërkojnë veprim kolektiv dhe partneritete afatgjata.”
Doug Weir, drejtor i Observatorit për Konfliktin dhe Mjedisin, i cili studion ndikimin mjedisor të luftës, tha: Fokusi i raportit në rindërtimin më të mirë dhe në forcimin e kapaciteteve kombëtare të monitorimit mjedisor janë njohje të mirëpritura të dy prioriteteve kritike për çdo shtet të prekur nga konflikti.
“Fatkeqësisht, disa gjetje të raportit tashmë janë të vjetruara për shkak të shkatërrimeve të shkaktuara nga Izraeli pas periudhës së studimit, veçanërisht në zonën që po e pushton ilegalisht në jug të lumit Litani”, shtoi ai.
Një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF) tha: IDF është e vetëdijshme për ndikimet e mundshme mjedisore të operacioneve të saj në rajon. IDF vepron për të mbrojtur qytetarët e Izraelit dhe për të siguruar sigurinë e zonave përreth. Të gjitha veprimet kryhen me masa paraprake për të minimizuar dëmin ndaj civilëve dhe mjedisit.

