Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ende nuk ka reaguar ndaj editorialit të të ngarkuarës me Punë në Ambasadës e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, e cila i bën thirrje Kosovës që të lidhet me projektin e gazit amerikan.
Ndonëse kanë kaluar gati 24 orë nga publikimi i editerialit të diplomates amerikane, lideri i VV-së dhe partia e tij nuk e kanë thënë asnjë fjalë.
Madje, zëvendëskryeministrja në detyrë, Donika Gërvalla, është nervozuar kur është pyetur nga gazeta Nacionale për këtë çështje.
“Nuk ka asnjë dyshim që Kosova është e rreshtuar kah bota perëndimore, SHBA-të. Vetëm kjo pyetja e juaj po më irriton. E kemi dëshmuar me vepra e jo me fjalë, kështu që faleminderit që po na përcillni”, ka thënë Donika Gërvalla.
Kurse lideri VV-së, Albin Kurti ka vazhduar prezantimin e programit të tij për energjinë, duke e injoruar kërkesën amerikane.
Gjatë tubimit të djeshëm elektoral, Kurti ka deklaruar se në mandatin e ardhshëm qeverisës do të ndërmerren “hapa konkretë” për realizimin e projektit të gazifikimit të qymyrit
“Gjithashtu, në mandatin që vjen do të bëjmë gazifikimin e qymyrit dhe për këtë do të bashkëpunojmë edhe me kompani ndërkombëtare edhe me ekspertë amerikanë e evropianë dhe korportata të fuqishme që pasurinë tonë të madhe linjitin ta shndërrojmë në gaz për çmime të përballueshme dhe furnizim të qëndrueshëm”, ka deklaruar Kurti.
Opozita pro projektit amerikan
Partitë opozitare edhe një herë i kanë thënë “po” projektit për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan.
Pas editorialit të të ngarkuarës me Punë në Ambasadës e SHBA-së në Prishtinë, Anu Prattipati, në lidhje me këtë çështje, liderët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e kanë mbështetur propozimin amerikan.
Kandidatët për kryeministër të këtyre partive janë zotuar për jetësimin e këtij projekti.
Në reagimet e tyre, ata kanë treguar për rëndësinë e këtij projekti për Republikën e Kosovës.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka bërë me dije se si kryeministër i ardhshëm do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan.
Në profilin e tij në Facebook, Hamza ka shkruar se Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit.
“Për gazin amerikan kam folur edhe të shtunën. Sot, pas mesazhit të qartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e përsëris edhe një herë zotimin tim. Si Kryeministër i ardhshëm i Kosovës, do ta jetësoj projektin për lidhjen e Kosovës me gazin amerikan. Kosova nuk mund të vazhdojë të paguajë çmimin e refuzimeve ideologjike dhe mungesës së vizionit. Çdo vit që humbim, rritet varësia jonë nga importet e shtrenjta të energjisë dhe nga tregjet e jashtme. Për Partinë Demokratike të Kosovës, partneriteti strategjik me SHBA-në është jetik, i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm. Kështu ka qenë dje, kështu është sot dhe kështu do të jetë edhe nesër”, ka shkruar Hamza.
Edhe kandidati për kryeministër i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë theksuar se integrimi i Kosovës në projektet energjetike amerikane është një domosdoshmëri strategjike për sigurinë dhe zhvillimin e vendit.
Në një deklaratë të përbashkët, ata kanë vlerësuar se qëndrimi i fundit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për projektet energjetike në rajon përbën një mesazh të qartë për të ardhmen strategjike të Kosovës.
“Qëndrimi i sotëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është një mesazh i qartë për sigurinë dhe të ardhmen strategjike të Kosovës. Çështja e gazit amerikan nuk është vetëm çështje ekonomike. Nuk ka të bëjë vetëm me çmime më të ulëta, siguri energjetike, vende të reja pune apo zhvillim industrial. Ajo është pjesë e arkitekturës së sigurisë që SHBA-të po ndërtojnë në Evropë dhe në Ballkanin Perëndimor. Në botën e sotme, siguria energjetike është siguri kombëtare. Fatkeqësisht, gjatë viteve të fundit, Kosova është larguar nga ky projekt strategjik, ndërsa ka shpenzuar mbi 1 miliardë euro për import të energjisë elektrike. Në vend të diversifikimit, kemi parë stagnim. Në vend të partneritetit strategjik me SHBA-të, kemi parë humbje kohe dhe arsyetime joracionale.”, është thënë në deklaratën e tyre të përbashkët.
Kure, kandidati i AAK-së për kryeministër, Ardian Gjini, ka thënë gazi amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë.
“Ajo që u konfirmua zyrtarisht nga u.d. Ambasadorja amerikane, Annu Prattipati, nuk është thjesht një statistikë e frikshme, është dëshmia e gjallë e një krimi ekonomik dhe gjeostategjik kundër Republikës së Kosovës. Kosova ka djegur plot 735 milionë euro të taksapaguesve në import të rrymës vetëm katër vitet e fundit, duke u rritur nga 142 milionë në vitin 2024 në 259 milionë euro në vitin 2025. Aleanca e ka ditur që nga dita e parë se projekti i Gazit Amerikan do të ndryshonte rrënjësisht fatin ekonomik dhe sigurinë kombëtare të vendit tonë. Ne e kishim jetësuar dhe projektuar këtë si projektin më të madh të shekullit. Por, paranoja ideologjike dhe vendimi skandaloz i qeverisë në ikje, në vitin 2021 për ta bllokuar këtë projekt strategjik, e la Kosovën në errësirë, të izoluar dhe të varur tërësisht nga vendet e rajonit”, ka vlerësuar Gjini.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Kosovë edhe sot ka ripërsëritur mesazhin e Ngarkuarës me Punë, Anu Prattipati, e cila dje i ka bërë thirrje Kosovës që të përfshihet në projektet rajonale të gazit natyror të lëngshëm (LNG) të mbështetura nga SHBA.

