Mijëra të rinj vazhdojnë të largohen nga Kosova. Familjet që kanë ndërtuar këtë shtet përballen me vështirësi ekonomike. Ndërkohë Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Vetëvendosja, po hap mundësinë të fitojnë shtetësinë edhe refugjatët serb nga Kroacia dhe nga Bosna e Hercegovina.
Vetëvendosje dhe Lista Serbe votuan së bashku Ligjin për Shtetësinë, ku neni 31 parasheh dhënien e shtetësisë për ish-banorët e Kosovës deri më 1 janar 1998 dhe pasardhësit e tyre të drejtpërdrejtë.
Shtetësia nuk është vetëm një dokument identifikimi. Ajo hap derën për një sërë të drejtash dhe përfitimesh që financohen nga taksapaguesit e Kosovës.
Personat që fitojnë shtetësinë e Kosovës mund të bëhen përfitues të skemave të ndryshme publike, duke përfshirë pensionet bazike për të moshuarit, shtesat për fëmijë dhe forma të tjera të mbështetjes sociale.
Ligji i ri për shtetësinë nuk është thjesht një çështje administrative. Ai mund të ketë pasoja të rëndësishme financiare, sociale dhe demografike për Republikën e Kosovës.
Neni 31 pika 1, i Ligjit të ri për Shtetësinë, e cili thotë se “Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të Jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës deri me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë.
E drejta për shtetësi shtrihet edhe te persona që kanë qenë banorë të Kosovës në periudha të caktuara historike, përfshirë refugjatë serbë që janë vendosur përkohësisht në Kosovë gjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Ligji nuk përmban dispozita që do të përjashtonin nga fitimi i shtetësisë familjarët e personave që kanë shërbyer në strukturat policore, ushtarake apo paramilitare të Serbisë gjatë viteve 1998-1999.
Për pasojë, nëse këta persona ose familjarët e tyre i plotësojnë kushtet e përcaktuara me ligj, ata mund të përfitojnë nga e drejta e shtetësisë në të njëjtën mënyrë si çdo aplikues tjetër.
Shembull konkret: ligji mund t’ia mundësojë prindit të një ish-polici apo ish-ushtari serb, i cili ka jetuar në Kosovë në vitin 1998, të fitojë shtetësinë e Republikës së Kosovës dhe, rrjedhimisht, të ketë qasje në përfitime që financohen nga buxheti i shtetit.
E njëjta logjikë vlen edhe për skemat sociale për fëmijë. Në praktikë, një fëmijë i një ish-ushtari të UÇK-së dhe një fëmijë i një ish-ushtaraku apo ish-polici serb do të trajtoheshin njësoj për sa i përket përfitimeve sociale, pavarësisht roleve krejtësisht të ndryshme që familjet e tyre kanë pasur gjatë luftës.
Kjo do të krijonte një kategori qytetarësh që mund të përfitojnë të drejta nga shteti pa pasur domosdoshmërisht lidhje afatgjatë me Kosovën apo kontribut në ndërtimin e saj.
Ky nuk është vetëm debat juridik. Është debat për drejtësinë, barazinë dhe përgjegjësinë ndaj taksapaguesve të Kosovës.
Duhet theksuar se pensioni bazik i moshës në Kosovë nuk kushtëzohet nga kontributet pensionale.
Ai financohet nga buxheti i shtetit dhe u jepet personave që plotësojnë kriteret ligjore të moshës dhe rezidencës.
Ndërsa pensionet kontributdhënëse lidhen me kontributet e paguara.
Pikërisht për këtë arsye, debati nuk ka të bëjë me kontributet pensionale individuale, por me zgjerimin e numrit të përfituesve të skemave që financohen nga buxheti publik i Kosovës./faktiditor.info


