Limaj letër Hamzës që Nisma të jetë në listën e PDK-së në zgjedhje

Kryetari i NISMA Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dërguar një letër zyrtare kryetarit të Partia Demokratike e Kosovës, Bedri Hamza, dhe Kryesisë së PDK-së, ku shpreh gatishmërinë që NISMA të bëhet pjesë e listës zgjedhore të PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në letrën e siguruar, Limaj thekson se kjo kërkesë vjen “në frymën e përgjegjësisë politike dhe shtetërore”, duke potencuar se qytetarët dhe strukturat e të dy subjekteve kanë kërkuar vazhdimisht bashkimin e potencialit opozitar.

Reklame

Sipas tij, bashkëpunimi mes PDK-së dhe NISMA-s nuk duhet të shihet vetëm si marrëveshje politike apo elektorale, por si bashkim i forcave që kanë ndarë “ideale, sakrificë dhe vizion të përbashkët për Kosovën”.

Limaj në letër thekson se NISMA nuk ka kërkesa të veçanta politike apo organizative, por synon koordinim opozitar në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Ai po ashtu shpreh gatishmërinë për të dhënë “kontribut të plotë politik, organizativ dhe elektoral” në kuadër të një bashkëpunimi të përbashkët me PDK-në.

Kjo lëvizje vjen në një periudhë kur në skenën politike po flitet gjithnjë e më shumë për bashkime dhe koalicione parazgjedhore në prag të zgjedhjeve të ardhshme.

By admin7