Në Sheshin “Maqedonia” në Shkup, sot në mënyrë solemne do të hapen “Lojërat Sportive për të Rinj – Plazma”, ku pritet të marrin pjesë mbi 27 mijë fëmijë nga i gjithë vendi. Lojërat përfshijnë disiplina të ndryshme sportive dhe do të zhvillohen përmes garave në nivel lokal, rajonal dhe shtetëror. Sportistët më të suksesshëm të rinj do të sigurojnë pjesëmarrjen në finalen ndërkombëtare në Split, ku do të garojnë me moshatarët e tyre nga rajoni, shkruan gazeta KOHA.
Me këtë aktivitet, siç theksojnë organizatorët, Maqedonia e Veriut për herë të parë bëhet pjesë e një prej lëvizjeve më të mëdha sportive amatore për fëmijë në Evropë.
Megjithatë, organizimi i kësaj ngjarjeje ka nxitur reagime për shkak të anashkalimit total të gjuhës shqipe nga ana e Ministrisë së Sportit dhe organizatorëve të aktivitetit. Edhe pse bëhet fjalë për një manifestim që mbahet në sheshin qendror të kryeqytetit, në materialet promovuese dhe në skenografinë e vendosur nuk shihet asnjë mbishkrim në gjuhën shqipe. Madje, nga fotografitë që kanë arritur në redaksinë tonë nga sheshi i kryeqytetit ku do të mbahen lojërat, vërehen mbishkrime në gjuhën serbe, ndërsa gjuha shqipe mungon plotësisht. Kjo ka shkaktuar kritika në opinion, duke e konsideruar këtë si një tjetër dëshmi të neglizhimit institucional ndaj shqipes.
Nuk është hera e parë që institucionet e kësaj qeverie e anashkalojnë përdorimin e gjuhës shqipe në ngjarje publike dhe aktivitete shtetërore, pavarësisht faktit se shqipja garantohet me ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Përndryshe, ministri i Sportit, Borko Ristovski, në konferencën për shtyp të mbajtur dje deklaroi se përfshirja e Maqedonisë në këto lojëra është rezultat i një procesi të gjatë dhe i angazhimit institucional. Ai theksoi se shteti është plotësisht i përgatitur për organizimin e këtij manifestimi dhe se investimet në sport dhe rini janë me rëndësi të veçantë. “Ne si nikoqirë jemi plotësisht të përgatitur. Kur shteti, në bashkëpunim me organizatorët e lojërave, ka kontroll të plotë mbi situatën, atëherë gjithçka zhvillohet në rendin më të mirë. Jemi angazhuar për investime në sport, të rinj dhe infrastrukturë, sepse konsiderojmë se kjo është rruga e duhur”, deklaroi Ristovski.
Në ceremoninë e hapjes pritet të marrin pjesë dhe të mbajnë fjalime kryeministri Hristijan Mickoski, ministri Borko Ristovski, kryetari i Shkupit Orce Gjorgjievski, kryetari i Lojërave Sportive për të Rinj “Plazma”, Zdravko Mariq, si dhe kryetarja e Federatës së Sportit Shkollor të Maqedonisë, Elena Mivkovska. (koha.mk)




