LSDM: Deficiti vjetor u shpenzua për gjashtë muaj, Qeveria po e çon vendin drejt borxheve të reja

LSDM ka akuzuar Qeverinë se po përballet me mungesë serioze të mjeteve financiare në buxhet, pasi sipas tyre, ministrja e Financave Gordana Koçoska ka pranuar se i gjithë deficiti i planifikuar për vitin është shpenzuar vetëm gjatë gjashtë muajve të parë.

Nga partia opozitare thonë se ribalancimi i paralajmëruar i buxhetit do të sjellë rritje të mëtejshme të deficitit, ndonëse ekzekutivi kishte premtuar se do ta ulte atë.

“Qytetarët e ndiejnë çdo ditë gjendjen reale të ekonomisë. Mjafton të shikojnë portofolet dhe frigoriferët e tyre. Në vend të mirëqenies së premtuar, ata po përballen me rritje të çmimeve, rënie të fuqisë blerëse dhe pasiguri për të ardhmen”, thuhet në reagimin e LSDM-së.

Sipas opozitës, ndërsa Qeveria flet për rezultate pozitive ekonomike, deficiti buxhetor po rritet, borxhi publik po thellohet dhe reformat po mbeten në vendnumëro.

LSDM pretendon se borxhi publik është rritur për më shumë se 2.5 miliardë euro në dy vitet e fundit, duke arritur në rreth 11 miliardë euro. Ata akuzojnë se këto mjete nuk janë përdorur për rritjen e pagave, mbështetjen e qytetarëve apo investime kapitale, por kanë përfunduar në tenderë partiakë.

Partia opozitare gjithashtu vlerëson se ngecja në procesin e integrimit evropian po i kushton vendit investime dhe fonde të rëndësishme për zhvillimin ekonomik.

“Pas dy vitesh premtime për rritje ekonomike, realiteti është krejt ndryshe. Me Mickoskin dhe OBRM-PDUKM-në në pushtet, ekonomia po shkon drejt kolapsit”, deklarojnë nga LSDM.

FaktiDitor.info do të vazhdojë të ndjekë reagimet dhe zhvillimet lidhur me gjendjen e financave publike dhe ekonominë e vendit.

By admin