Lufta Ukrainë-Rusi/ Droni godet trenin e pasagjerëve në Krime, humb jetën makinisti

Tensionet mes Rusisë dhe Ukrainës vijojnë të përshkallëzohen, ndërsa sulmet e fundit kanë prekur edhe objektiva civile.

Sipas autoriteteve ruse, një dron ukrainas goditi lokomotivën e një treni pasagjerësh që qarkullonte në linjën Moskë-Simferopol në Krime. Si pasojë e sulmit humbi jetën makinisti i trenit, ndërsa ndihmësi i tij mbeti i plagosur.

Guvernatori i Krimesë, Sergey Aksyonov, deklaroi se asnjë prej pasagjerëve nuk u lëndua dhe se autoritetet po organizojnë transport alternativ me autobusë për t’i dërguar ata në destinacion.

Ndërkohë, Ministria Ruse e Mbrojtjes njoftoi se gjatë natës janë rrëzuar 310 dronë ukrainas mbi 13 rajone të Rusisë, përfshirë zonën e Moskës, Detin e Zi dhe Detin Azov. Disa prej tyre kishin në shënjestër edhe Krimenë.

Nga ana tjetër, Ukraina raportoi se Rusia ka lëshuar 155 dronë sulmues drejt territorit të saj. Sipas Komandës së Forcave Ajrore Ukrainase, 124 prej tyre janë neutralizuar nga mbrojtja ajrore, ndërsa operacionet për zmbrapsjen e sulmeve vijojnë.

Sulmet e ndërsjella tregojnë se konflikti mes dy vendeve mbetet intensiv, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme ndërkombëtare për uljen e tensioneve dhe rikthimin në tryezën e negociatave.

By admin5