Lumani për shkollën në Butel: Zëvendësministri gënjeu, paralelja shqipe në “Penko” u mbyll

Këshilltari komunal i Aleancës Kombëtare për Integrim në Butel, Linkest Lumani, akuzoi zëvendësministrin e Arsimit, Driton Sulejmani, se e ka informuar në mënyrë të pasaktë opinionin se çështja e paraleles në gjuhën shqipe në SHF “Petar Zdravkovski-Penko” është zgjidhur

Besa IBRAIMI

Shkup, 3 shtator – “Zëvendësministri gënjeu, paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur”. Me këtë akuzë doli të enjten në konferencë për media këshilltari komunal i Aleancës Kombëtare për Integrim në Butel, Linkest Lumani, lidhur me çështjen e paraleles në gjuhën shqipe në Shkollën Fillore “Petar Zdravkovski-Penko”. Lumani tha se vetëm pak ditë më parë zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, kishte dalë publikisht me njoftimin se ishte arritur zgjidhje për problemin dhe se ishte garantuar mosmbyllja e paraleles, si dhe regjistrimi i nxënësve shqiptarë. Sipas tij, situata në terren, disa ditë pas këtij njoftimi, është krejtësisht ndryshe.

“Pak ditë më parë, zëvendësministri i Arsimit, Driton Sulejmani, doli me deklaratë duke e njoftuar opinionin se ishte arritur zgjidhje për çështjen e paraleles në gjuhën shqipe në SHF ‘Petar Zdravkovski-Penko’ dhe se ishte garantuar mosmbyllja e paraleles dhe regjistrimi i nxënësve shqiptarë. Por faktet flasin ndryshe. Paralelja u mbyll dhe problemi mbetet i pazgjidhur”, deklaroi Lumani.

Këshilltari komunal tha se regjistrimi i nxënësve shqiptarë është realizuar vetëm pjesërisht, ndërsa si kriter është marrë në konsideratë nëse nxënësi ka motër apo vëlla që tashmë ndjek mësimin në këtë shkollë. Për këtë arsye, ai kërkoi zbatimin e nenit 7 të Vendimit për rajonizimin e shkollave, për të cilin tha se mundëson regjistrimin edhe të nxënësve nga komuna të tjera, nëse ata ndodhen në rajonin ku gjendet shkolla. “Regjistrimi i nxënësve u realizua vetëm pjesërisht, duke u bazuar në kriterin e vetëm të faktit nëse nxënësi kishte motër ose vëlla të regjistruar në paralelet e kësaj shkolle. Prandaj, kërkojmë të zbatohet neni 7 i Vendimit për rajonizimin e shkollave, i cili përcakton qartë se mund të regjistrohen nxënës edhe nga komuna tjera, por që janë në rajonin ku gjendet shkolla”, tha Lumani.

Ai iu drejtua drejtpërdrejt zëvendësministrit Sulejmani, duke e pyetur nëse është i vetëdijshëm për pasojat që, sipas tij, kjo situatë u ka shkaktuar nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit. “Zëvendësministër, a e kuptoni se çfarë dëmi u keni shkaktuar nxënësve shqiptarë në Komunën e Butelit? A e kuptoni se, me deklaratat që dhatë disa ditë më parë para mediave, jo vetëm që nuk e mbrojtët interesin e nxënësve shqiptarë, por u pozicionuat në një linjë me qëndrimet e kryetarit të Komunës së Butelit, Darko Kostovskit?”, pyeti Lumani.

Ai vazhdoi me akuza ndaj përfaqësuesve shqiptarë në pushtet, duke deklaruar se mbyllja e paraleleve në gjuhën shqipe nuk është një dukuri e panjohur nga e kaluara. “Por kjo nuk na habit, pasi mbylljen e sotme të paraleleve, siç tregon edhe historia jo e largët te shqiptarët e Maqedonisë, e keni trashëgimi”, deklaroi Lumani. Këshilltari i AKI-së tha se qytetarët kanë të drejtë të dinë se kush do të mbajë përgjegjësi për atë që ai e cilësoi si premtim të pambajtur dhe informim të pasaktë të opinionit. “Qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë përgjigje: Kush mban përgjegjësi për premtimet e pambajtura dhe për informacionet e pasakta të shpërndara në opinion?”, deklaroi Lumani. Në konferencën për media ai e ndërlidhi situatën në SHF “Petar Zdravkovski-Penko” edhe me zhvillimet politike gjatë zgjedhjeve të fundit lokale në Butel. Lumani tha se VLEN dhe përfaqësuesit e këtij koalicioni kishin mbështetur fuqishëm kandidaturën e Darko Kostovskit të VMRO-DPMNE-së për kryetar të Komunës së Butelit, duke kontribuar, sipas tij, në fitoren e Kostovskit që në raundin e parë të zgjedhjeve.

“Opinioni publik nuk mund të anashkalojë faktin se gjatë zgjedhjeve lokale, partia VLEN dhe i gjithë aparati i saj politik e mbështetën fuqishëm kandidatin e VMRO-së, Darko Kostovski, duke kontribuar në zgjedhjen e tij që në raundin e parë”, deklaroi Lumani. Sipas tij, pasojat e asaj mbështetjeje politike sot po i ndiejnë qytetarët shqiptarë të Butelit. “Sot, si rezultat i asaj mbështetjeje pa asnjë rezervë, qytetarët shqiptarë po përballen me mbylljen e një paraleleje në gjuhën shqipe dhe me kufizimin e mundësisë së regjistrimit të nxënësve shqiptarë në shkollën e tyre”, tha ai. (koha.mk)

By admin7