Macklemore njofton turneun “Free Palestine”: Të jesh apolitik gjatë një gjenocidi nuk funksionon më

Reperi amerikan Macklemore ka njoftuar turneun “Free Palestine”, me tre koncerte të planifikuara në Dublin më 26 tetor, në Paris më 29 tetor dhe në Londër më 30 tetor.

Njoftimi vjen pasi Macklemore u hoq nga lista e artistëve që do të performonin si të ftuar në turneun e Ed Sheeran në SHBA, pas deklaratave të tij në mbështetje të Palestinës gjatë një koncerti në stadiumin MetLife në New Jersey.

Sipas Live Nation, turneu “Free Palestine” do ta bashkojë Macklemore me artistë dhe miq për një seri koncertesh që do ta vendosin Palestinën dhe palestinezët në qendër të vëmendjes, ndërsa synohet edhe ofrimi i ndihmës humanitare dhe mbështetja për këtë kauzë.

Të gjitha të ardhurat nga koncertet do t’u dhurohen disa organizatave, mes tyre Anera, Glia, Gaza Soup Kitchen, Taawon, HEAL Palestine, Palestine Youth Movement, Middle East Children’s Alliance, Jewish Voice for Peace, Medical Aid for Palestinians, Institute for Middle East Understanding, Palestine Children’s Relief Fund dhe UNRWA USA.

Në një deklaratë të publikuar në Instagram, Macklemore tha se zhvillimet e fundit kanë treguar, sipas tij, një ndryshim në mënyrën se si publiku i sheh artistët dhe rolin e tyre në çështjet politike e shoqërore.

“Nëse këto dy javët e fundit na kanë treguar diçka, është se diçka ka ndryshuar në tre vitet e fundit. Ka pasur një zgjim kolektiv për çlirimin e Palestinës, fuqinë e miliarderëve që përpiqen ta censurojnë atë thirrje dhe atë që presim nga artistët tani”, tha ai.

Më tej, reperi u shpreh se artistët nuk duhet të qëndrojnë apolitikë përballë zhvillimeve që ai i cilëson si gjenocid.