Mali i Zi miraton 2 ditë leje të paguar në muaj për gratë me cikle menstruale të dhimbshme

Kuvendi i Malit të Zi miratoi dje ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Sigurim Shëndetësor, me të cilat grave të diagnostikuara me dismenoragji sekondare – cikle menstruale të dhimbshme të shoqëruara me spazma, të përziera dhe lodhje – u mundësohet e drejta për dy ditë leje të paguar në muaj.

​Kjo e drejtë, siç raporton “Vijesti”, u takon grave që kanë cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga shkaqe organike, siç janë endometrioza, mio hisë, polipet dhe sëmundje të tjera gjinekologjike.

​Deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq e dorëzoi iniciativën për ndryshimin e ligjit në mars të këtij viti, në prag të Ditës Ndërkombëtare të Gruas. Projektligji paraprakisht u mbështet me unanimitet në seancat e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Politikë Sociale si dhe nga Komisioni Ligjvënës.
​Në arsyetimin e ligjit thuhet se qëllimi i ndryshimeve është rregullimi adekuat i gjendjeve patologjike të diagnostikuara të dismenoragjisë sekondare, menjëanimi i stigmës dhe paragjykimeve në vendin e punës, si dhe vendosja e një ekuilibri mes ruajtjes së shëndetit dhe obligacioneve profesionale të grave. Siç nënvizohet, grave me dismenoragji sekondare u njihet e drejta për gjendje të posaçme të paaftësisë së përkohshme për punë.

​Dismenoragjia sekondare nënkupton pengesa menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga sëmundje gjinekologjike të diagnostikuara më parë, si endometrioza, mio hitë, inflamacioni i vezoreve, polipet endometriale dhe sindroma e vezoreve policistike, si dhe gjendje që mund të shoqërohen me marrëdhënie seksuale të dhimbshme, urinim të vështirësuar, sterilitet ose gjakderdhje të bollshme menstruale.

By admin7