BE ka nisur këtë të hënë duke i dhënë një vrull të ri procesit të zgjerimit me tre konferenca ndërqeveritare fillimisht me Malin e Zi për të vijuar me ato me Ukrainën dhe Moldavinë.
Fqinji ynë verior mbylli edhe kapituj të tjerë atë për Lirinë e Lëvizjes së Punëtorëve dhe kapitullin 28 Mbrojtja e Konsumatorit dhe Shëndetit.
Për Ukrainën e Moldavinë do të jetë hapja e grupkapitullit të parë themeloret. Komisionerja Kos tha në Luksemburg se këto konferenca dëshmojnë që zgjerimi po jep rezultate konkrete.
“Zgjerimi po jep rezultate si politika e jashtme më e rëndësishme e Bashkimit Evropian në 16, 17 muajt e fundit. Anëtarësimi i plotë do të jetë i mundur vetëm pasi shtetet kandidate të përmbushin të gjitha kushtet. Pra, nuk ka gjysmë anëtarësimi ose çerek anëtarësimi, ka vetëm anëtarësim të plotë të bazuar në meritë. Po shohim po ashtu çfarë mund të bëjmë në fushën e integrimit gradual. Kjo është ajo që ne po kërkojmë tani, se si ta përmirësojmë këtë pjesë të procesit të pranimit”, tha Kos.
Kos shpreson se me mbylljen e kapitujve, në fund të presidencës irlandeze, Mali i Zi mund të prekë vijën e finishit me anëtarësimin në BE deri në vitin 2028.
“Për momentin, jemi në procesin e përgatitjes së traktatit të anëtarësimit në BE për Malin e Zi. Traktati i anëtarësimit të Malit të Zi në BE, do të jetë një brez i ri traktatesh anëtarësimi, në kuptimin që do të kemi masa të reja mbrojtëse që të sigurohemi që sapo të kemi anëtarë të rinj në bord, ata do të ndjekin rregullat evropiane. Duke mbyllur dy kapituj shtesë për Malin e Zi gjithsej ne do të kemi të mbyllur 16 të tillë. Sapo u ktheva nga Irlanda, e cila do të jetë presidenca e ardhshme e këshillit Evropian. Nëse ecim siç duhet me mbylljen e kapitujve, në fund të presidencës irlandeze, mund ta çojmë Malin e Zi në vijën e finishit”, shtoi Kos.
Mali i Zi kondiderohet shtet pararojë së bashku me Shqipërinë në rrugën e negociatave nga rajoni ynë. Ndërkohë BE-ja i hapi zyrtarisht negociatat e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë në qershor të vitit 2024, por hapja e fazës së parë të bisedimeve me Kievin zyrtar u bllokua nga vetoja hungareze.

