Maqedonci: Haxhiu u ftua në margjinat e Samitit të NATO-s, por u vlerësua se s’duhet të marrë pjesë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ishte e ftuar të merrte pjesë në një aktivitet në margjinat e Samitit të NATO-s që u mbajt në Ankara, por nuk kishte mundur të udhëtonte për shkak të angazhimeve në agjendën e saj. Maqedonci shtoi se meqë Ballkani Perëndimor nuk ishte në fokusin e samitit është vlerësuar që Kosova të mos marrë fare pjesë në atë aktivitet.

Maqedonci sqaroi se Kosova nuk ka qenë asnjëherë e ftuar në punimet e Samitit të NATO-s, pasi nuk është shtet anëtar i Aleancës, ndërsa ftesat për përfaqësuesit e saj kanë qenë vetëm për aktivitete të organizuara në margjinat e samitit. Ai theksoi se vitin e kaluar, në një aktivitet të tillë në kuadër të Konferencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë, ishte ftuar ish-presidentja Vjosa Osmani, ndërsa këtë vit ftesa ishte drejtuar Haxhiut, mirëpo për shkak të agjendës nuk kishte mundur të ishte e pranishme në samit.

Ftesa për Haxhiun, sipas ministrit në detyrë, ishte për një takim njëditor.

“Në margjinat e këtij Samiti vitin e kaluar ishte ftuar ish-presidentja Osmani nga DASH-i. Edhe sivjet është ftuar ushtruesja e detyrës së presidentit Albulena Haxhiu. Me ftesë nga Këshilli i Atlantikut, që është pjesë e SHBA-së, për një ‘roundtable’. Besoj se ka qenë e angazhuar diku tjetër (pse nuk ka shkuar). Kur këto samite kanë fokus të veçantë regjionin e Ballkanit Perëndimor patjetër që Kosova, sikurse vendet e rajonit, ftohen të jenë pjesë e takimeve të ndryshme brenda një samiti. Në Ankara nuk ka qenë fokus kryesor Ballkanin Perëndimor. Kjo është arsyeja pse asnjë vend tjetër jo-anëtar të rajonit nuk është ftuar të jetë pjesë e atij samiti. Ne jemi në diskutime të vazhdueshme me Haxhiun për pjesëmarrjen tonë me aktivitete që lidhen me mbrojtjen, NATO-n, sigurinë, ushtrinë. Këtë rast besoj që agjenda e saj ia ka pamundësuar. Ka qenë ftesa e Këshillit të Atlanikut për një takim njëditor, për një ‘roundtable’ dhe vlerësoj se duke mos qenë pjesë e diskutimeve të Samitit, duke qenë vetëm në margjina të saj, është vlerësuar që të mos jetë pjesë ndoshta e atij aktiviteti që është realizuar. Kosova edhe këtë radhë është ftuar të jetë pjesë e margjinave, por Samiti është i dizajnuar për 32 vendet e NATO-s”, ka thënë Maqedonci në një intervistë për “KosovaPress” të shtunën.

By admin7