Maqedonia e Veriut – nikoqire e Konferencës së lartë Rajonale për ndryshimet demografike dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë

Shkupi, më 7 dhe 8 maj të 2026-ës, do të jetë qendër rajonale e diskutimeve për një nga sfidat më të mëdha bashkëkohore – ndryshimet demografike.
Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe të Rinjve e Maqedonisë së Veriut, në partneritet me Fondin e Popullsisë të Kombeve të Bashkuara (UNFPA), organizon Konferencën Rajonale Ministrore për trajtimin e ndryshimeve demografike dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë.

Ngjarja mbahet nën patronazhin e Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristian Mickoski, dhe do të bashkojë ministra, përfaqësues të lartë qeveritarë, ekspertë ndërkombëtarë nga mbi 30 vende, si dhe përfaqësues të OKB-së, të Këshillit të Evropës, të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, si dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare.

Fokusi qendror i Konferencës është zhvillimi i përgjigjeve të përbashkëta ndaj transformimeve të thella demografike që po formësojnë rajonin e Evropës Lindore dhe të Azisë Qendrore.

Tendencat demografike, si: shkalla e ulët e natalitetit, migrimet dhe plakja e përshpejtuar e popullsisë, tashmë kanë ndikim të konsiderueshëm në ekonomitë, në tregjet e punës dhe në sistemet e mbrojtjes sociale. Në disa pjesë të Evropës Lindore, numri i popullsisë është zvogëluar me mbi një të tretën që nga vitet 1990-ta, ndërsa i gjithë rajoni përballet me rënien më të shpejtë të popullsisë në botë.

Njëherësh, Azia Qendrore shënon rritje të popullsisë dhe potencial të konsiderueshëm për dividendë demografike, me projeksione për rritjen e popullsisë në moshë pune nga 50 në 71 milionë deri në vitin 2050.

Konferenca synon ta drejtojë debatin rajonal nga “shqetësimi demografik” drejt “qëndrueshmërisë demografike” – përmes politikave të bazuara në fakte dhe në të drejtat e njeriut, të cilat i fuqizojnë njerëzit dhe i bëjnë shoqëritë më të përshtatshme dhe më gjithëpërfshirëse.

Pjesëmarrësit do të punojnë në përcaktimin e udhërrëfyesit të përbashkët për politika, të cilat do të mundësojnë ndërtimin e ekonomive dhe të shoqërive të qëndrueshme, të gatshme për t’iu përgjigjur ndryshimeve demografike, si dhe ta shfrytëzojnë potencialin e tyre më të madh – njerëzit.

By admin3