Marshim drejt Kryeministrisë, protesta për sigurinë e fëmijëve vazhdon në Tiranë

Qytetarë të shumtë janë mbledhur këtë të shtunë në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, për të vijuar protestën e 14-të radhazi, e cila ka në fokus sigurinë e fëmijëve dhe kërkesën për më shumë përgjegjësi nga institucionet shtetërore.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë, ku shumë prej tyre morën fjalën në podiumin e improvizuar, duke shprehur shqetësimet dhe kërkesat e tyre. Organizatorët kanë bërë të ditur se këtë herë pritet pjesëmarrje më e madhe, pasi protesta është thirrur për herë të dytë në nivel kombëtar.

Mes të pranishmëve ishte edhe Florina Cani, nëna e 14-vjeçarit Martin Cani, i cili humbi jetën pas një sulmi me thikë pranë shkollës “Fan Noli” në Tiranë. Në fjalën e saj, ajo kërkoi më shumë siguri për fëmijët, duke theksuar dhimbjen e një nëne që e dërgoi djalin në shkollë dhe nuk e pa më të kthehej në shtëpi.

Një nga momentet simbolike të protestës ishte vendosja e këpucëve përpara Kryeministrisë. Sipas protestuesve, ato përfaqësojnë qytetarët që janë larguar nga Shqipëria ndër vite. Aktivistët e cilësuan këtë instalacion si një mesazh për fenomenin e emigrimit dhe boshatisjen e vendit.

Ndërkohë, në shesh u shfaq edhe një grup i drejtuar nga Pëllumb Pilinçi, i cili u bashkua me protestuesit duke shpërndarë flamuj shqiptarë dhe amerikanë. Pas mbërritjes së tyre, pjesëmarrësit vijuan marshimin drejt Kryeministrisë, ku protesta po vazhdon me fjalime dhe thirrje qytetare.

Skuter elektrik në autostradë shkakton kaos në trafik pranë Bernës

By admin