Një sulm i armatosur tronditi qytetin e San Diegos në Kaliforni, ku pesë persona humbën jetën pranë Qendrës Islame të San Diegos, xhamisë më të madhe në rajon.
Sipas policisë lokale, dy adoleshentë të armatosur hapën zjarr ndaj personave që ndodheshin jashtë kompleksit fetar, duke vrarë tre burra, përfshirë një roje sigurie që dyshohet se ndihmoi në parandalimin e një masakre edhe më të madhe.
Shefi i Policisë së San Diegos, Scott Uahl, deklaroi gjatë një konference për shtyp se autorët e dyshuar, të moshave 17 dhe 18 vjeç, u gjetën më vonë të pajetë brenda një automjeti, me plagë që besohet se ishin vetëshkaktuar me armë zjarri. Fillimisht policia raportoi se njëri prej tyre ishte 19 vjeç.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:40 të paradites me orën lokale, kur policia mori telefonata për një “sulm aktiv” në Qendrën Islame të San Diegos. Brenda pak minutash, dhjetëra efektivë policie dhe agjentë federalë mbërritën në vendngjarje. Pamjet nga televizioni lokal treguan forca të armatosura speciale mbi çatinë e xhamisë dhe patrulla të shumta që rrethuan zonën.
Autoritetet po e hetojnë sulmin si një krim të mundshëm urrejtjeje ndaj komunitetit mysliman. Sipas policisë, nuk kishte pasur kërcënime specifike ndaj xhamisë apo institucioneve fetare, por ekzistonin shqetësime për “retorikë të përgjithshme urrejtjeje” dhe deklarata ekstremiste.
Një zhvillim i rëndësishëm në hetim ishte telefonata e nënës së njërit prej autorëve, e cila kishte lajmëruar policinë rreth dy orë para sulmit. Ajo raportoi se djali i saj ishte larguar nga shtëpia në gjendje të rënduar psikologjike, kishte marrë tre armë zjarri dhe automjetin e saj, ndërsa ishte i shoqëruar nga një tjetër i ri. Të dy ishin të veshur me rroba kamuflazhi. Policia kishte nisur kërkimet në disa zona, përfshirë një qendër tregtare dhe shkollën e mesme të të riut, para se të merrte njoftimin për të shtënat në xhami.
Në momentin e sulmit, në kompleks ndodheshin edhe fëmijë që ndiqnin mësimet në shkollën islame Bright Horizon Academy, por autoritetet konfirmuan se të gjithë ishin të sigurt dhe nuk pati të lënduar mes tyre.
Sulmi ka shtuar frikën dhe pasigurinë në komunitetet myslimane dhe hebraike në Shtetet e Bashkuara, në një periudhë tensionesh të larta ndërkombëtare dhe rritjeje të incidenteve të motivuara nga urrejtja fetare.


