Matka në fokus: Hoxha në aksion – “Mjaft më me ndotjen!”

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, mori pjesë sot në një aksion ekologjik për pastrimin e zonës së Matka Canyon, duke iu bashkuar dhjetëra vullnetarëve në një përpjekje për të ruajtur një nga thesaret natyrore më të njohura të vendit.

Nga terreni, Hoxha theksoi se ndotja e mjedisit mbetet një sfidë serioze që kërkon jo vetëm angazhim institucional, por edhe ndryshim të vetëdijes qytetare. Ai nënvizoi se aksionet e tilla janë të rëndësishme jo vetëm për pastrim, por edhe për të dhënë mesazhe të qarta për ruajtjen e natyrës.

“Institucionet po ndërtojnë politika dhe investojnë në zgjidhje të qëndrueshme, por pa përfshirjen aktive të qytetarëve, rezultatet nuk mund të jenë afatgjata. Kujdesi për mjedisin duhet të bëhet pjesë e përditshmërisë sonë”, deklaroi ministri.

Në të njëjtën kohë, nga ministria u falënderuan Komuna e Sarajit, kompanitë për menaxhimin e mbeturinave dhe të gjithë vullnetarët që kontribuan në këtë iniciativë.

Aksioni në Matkë vjen si pjesë e një fushate më të gjerë për mbrojtjen e mjedisit dhe rritjen e ndërgjegjësimit publik, me synimin që hapësirat natyrore të ruhen dhe të trajtohen me përgjegjësi më të madhe nga të gjithë.

By admin