Të gjithë semimaturantët që nuk arritën të regjistrohen në shkollat e mesme gjatë afatit të parë do të kenë një mundësi të re për regjistrim. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka njoftuar se afati i dytë elektronik për regjistrim në vitin shkollor 2026/2027 do të zhvillohet të martën, më 23 qershor, ndërsa dorëzimi i dokumenteve origjinale në komisionet shkollore do të bëhet të mërkurën, më 24 qershor, shkruan faktiditor.info.
Sipas të dhënave zyrtare, në të gjithë vendin janë në dispozicion gjithsej 11.882 vende të lira për nxënësit që do të aplikojnë në afatin e dytë.
Numri më i madh i vendeve të lira është në paralelet në gjuhën maqedonase, ku janë të disponueshme 7.404 vende. Për paralelet në gjuhën shqipe janë të lira 4.002 vende, ndërsa 456 vende janë në dispozicion për mësim në gjuhën turke dhe 20 vende për mësim në gjuhën serbe.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës bëri të ditur se në shkollat ku do të paraqitet një numër më i madh kandidatësh me pikë të barabarta, do të organizohet test shtesë kualifikues më 29 qershor.
“Nxënësit që nuk u regjistruan në arsimin e mesëm në afatin e parë të qershorit do të mund të aplikojnë në regjistrimin e dytë më 23 qershor. Për këtë afat janë të lira 11.882 vende, prej të cilave 7.404 në gjuhën maqedonase, 4.002 në gjuhën shqipe, 456 në gjuhën turke dhe 20 në gjuhën serbe”, njoftoi Ministria e Arsimit dhe Shkencës.
Afati i dytë paraqet mundësinë e fundit për shumë semimaturantë që të sigurojnë vendin e tyre në shkollën e mesme të dëshiruar për vitin e ardhshëm shkollor.

