Mbi 9.6 ton biskota nga Kosova ndalohen në Suedi

Autoritetet suedeze kanë ndaluar në Malmö importimin e një ngarkese prej pak më shumë se 9.6 ton biskota të ardhura nga Kosova, pasi gjatë kontrollit fizik u zbulua se produktet përmbanin vezë.

Sipas autoriteteve, dokumentet shoqëruese nuk pasqyronin saktë përmbajtjen e ngarkesës. Për shkak të rregullave të BE-së për importin e produkteve ushqimore me origjinë shtazore, ngarkesa nuk u lejua të hynte në Suedi.

Importuesi suedez kishte mundësinë që biskotat t’i shkatërronte në Suedi ose t’i kthente në vendin e origjinës. Kompania zgjodhi kthimin e ngarkesës në Kosovë.

Autoritetet suedeze theksojnë se produktet me origjinë shtazore, si mishi, qumështi dhe vezët, kontrollohen rreptësisht në kufi për shkak të rrezikut të përhapjes së infeksioneve.

Rasti është një tjetër dëshmi se produktet ushqimore që eksportohen drejt BE-së duhet të përmbushin kërkesat dhe kontrollet e përcaktuara.