“Më jep para për drogë” – ky është 32-vjeçari që dyshohet se rrahu babanë e tij

Detaje të rënda kanë dalë nga incidenti që ndodhi pas mesnate në Pejë, ku një 32-vjeçar dyshohet se ushtroi dhunë brutale ndaj babait të tij dhe më pas përfundoi duke sulmuar edhe Policinë gjatë arrestimit, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.

Burimet bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Kastriot Grapcin (32-vjeçar), ndaj të cilit kishte ekzistuar edhe urdhër mbrojtjeje i lëshuar nga Gjykata.

Reklame

Sipas informatave, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Lekë Dukagjini” në Pejë, ku i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e babait të tij dhe kishte kërkuar para për të blerë narkotikë.

Kur viktima nuk kishte pasur para për t’i dhënë, situata kishte eskaluar.

Sinjali mëson se i dyshuari fillimisht kishte fikur dritat e shtëpisë dhe më pas kishte nisur ta godiste babanë me shuplaka.

Por dhuna nuk kishte përfunduar aty.

Sipas deklarimit të viktimës, ai kishte marrë edhe një shkop, me të cilin dyshohet se e kishte sulmuar disa herë babanë e tij.

Pas arrestimit dhe shoqërimit në Stacionin Policor në Pejë, incidenti kishte vazhduar edhe brenda ambienteve policore.

Burimet bëjnë të ditur se i dyshuari kishte grisur aktvendimin për ndalim dhe gjatë transportimit për në Qendrën e Ndalimit në Klinë kishte sulmuar një zyrtar policor, duke e goditur me kokë në pjesën e tëmthit.

Ndaj tij janë iniciuar hetime për:

“Dhunë në familje”,
“Mospërfillje të gjykatës”,
dhe “Sulm ndaj personit zyrtar”.
I dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

By admin1