Mediat e mëdha botërore kanë raportuar sot për varrimin në Beograd të kriminelit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
The Guardian e përshkruan Mlladiqin si një “gjeneral të dënuar për organizimin e masakrës më të rëndë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore”, ndërsa thekson se pritja e tij si hero pas kthimit në vendlindje kishte shkaktuar shqetësim ndërkombëtar.
“Kasapi i Bosnjës”, siç njihej për rolin e tij gjatë luftërave në Ballkan në vitet ’90, vdiq në fund të gushtit në moshën 84-vjeçare, ndërsa po vuante dënimin me burgim të përjetshëm për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, shkruan gazeta britanike.
The Guardian vëren gjithashtu se pjesëtarë të forcave të armatosura qëndruan në roje pranë arkivolit të tij, mbi të cilin ishin vendosur kapela e tij karakteristike ushtarake dhe shpata.
Pranë kishës ishin vendosur flamuj serbë, ndërsa në anën tjetër të rrugës ishte shpalosur një pankartë e madhe me mesazhin: “Mirë se erdhe, gjeneral, faleminderit nënës që lindi një hero.”
Gazeta britanike kujton se Mlladiqi ishte një prej arkitektëve kryesorë të politikës së spastrimit etnik gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, konflikt në të cilin u vranë më shumë se 100 mijë persona dhe mbi dy milionë u zhvendosën.
Ndër krimet kryesore të forcave të tij ishte edhe rrethimi i Sarajevës, i cili zgjati 1.460 ditë. Konflikti kulmoi në vitin 1995 me vrasjen e të paktën 8 mijë burrave dhe djemve boshnjakë në Srebrenicë, në një krim që tronditi Evropën.
Financial Times: Ministrat serbë dhe djali i Vuçiqit në varrim
Edhe Financial Times raportoi për ceremoninë, duke shkruar se ministra të lartë të qeverisë serbe dhe djali i presidentit Aleksandar Vuçiq ishin mes mijëra personave që u mblodhën të hënën në Beograd për varrimin e Mlladiqit.
Sipas FT, forcat e tij kryen gjenocid në Srebrenicë në vitin 1995, ku rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë u vranë dhe u varrosën në varreza masive.
Gazeta britanike shkruan se Vuçiq, një politikan populist me rrënjë në të djathtën ekstreme dhe nacionalizëm, ndodhet mes presionit të Bashkimit Evropian dhe mbështetësve të tij, shumë prej të cilëve e respektojnë Mlladiqin, në prag të zgjedhjeve të parakohshme të pritshme.
“Vuçiq nuk e mbështeti drejtpërdrejt varrimin dhe nuk i dha atij nderime shtetërore, por tha se kishte folur me familjen e Mlladiqit dhe se kishte bërë ‘gjithçka të mundur që gjithçka të zhvillohej në mënyrë dinjitoze’”, shkruan Financial Times.
Megjithatë, në ceremoni morën pjesë ministrat serbë të Mbrojtjes dhe Drejtësisë, lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, si dhe ambasadori rus në Serbi. Ceremonia u drejtua nga patriarku serb Porfirije, kreu i Kishës Ortodokse Serbe.
Ndërkohë, BBC rikujton se tifozët e Crvena Zvezdës në Beograd shpalosën një koreografi me portretin e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq para fitores së ekipit të tyre ndaj Partizanit në derbin e së dielës mbrëma. /Vijesti



