Ambasadori i Shqipërisë në Maqedoninë e Veriut, Denion Meidani, ka bërë të ditur se po konkretizohet një nga angazhimet e tij kryesore që nga marrja e detyrës diplomatike: lehtësimi i kalimit kufitar mes dy vendeve informon Tetovasot.
Përmes një postimi publik, Meidani njoftoi se me vendimin e Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për unifikimin e procedurave të kontrollit kufitar me Maqedoninë e Veriut, dy vendet po ecin drejt vendosjes së një kontrolli të vetëm dhe të përbashkët në pikat kufitare.
“Po shkojmë drejt një ndalese të vetme dhe një procedure të vetme. Jo më dy kontrolle nën të njëjtën çati, por një regjim i vërtetë Hyrje–Hyrje”, theksoi ambasadori.
Sipas tij, ky model do të sjellë më pak pritje dhe procedura më të shpejta për qytetarët, bizneset dhe udhëtarët që kalojnë çdo ditë kufirin mes dy shteteve.
Meidani veçoi rëndësinë e pikës kufitare të Qafë Thanës, duke bërë të ditur se vetëm gjatë vitit 2025 aty kanë kaluar mbi 2.3 milionë udhëtarë.
“Pas çdo shifre qëndron një histori – një familje që udhëton për pushime, një student që kthehet në shtëpi, një sipërmarrës që lidh tregje dhe dy popuj që afrohen më shumë me njëri-tjetrin”, u shpreh ai.
Ambasadori falënderoi institucionet e të dy vendeve për bashkëpunimin dhe përkushtimin në realizimin e këtij procesi, duke shtuar se lehtësimi i kalimit kufitar është shembull konkret i fqinjësisë së mirë.
Ai paralajmëroi se e njëjta frymë bashkëpunimi pritet të shtrihet edhe në pikat e tjera kufitare që lidhin Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.Tetovasot

