Një proces gjyqësor mes Elon Musk dhe kompanisë së inteligjencës artificiale OpenAI po zbardh detaje të reja nga përplasjet e brendshme gjatë viteve të para të kompanisë.
Presidenti i OpenAI dhe bashkëthemeluesi Greg Brockman ka dëshmuar në një gjykatë federale në Oakland se një takim i vitit 2017 me Musk u tensionua ndjeshëm, pasi ai refuzoi kërkesën e miliarderit për të pasur më shumë kontroll mbi kompaninë. Sipas tij, situata u përshkallëzua aq shumë sa ai mendoi se Musk mund ta godiste fizikisht.
“Unë në fakt mendova se do të më godiste,” tha Brockman, citon BBC.
Brockman tha se takimi përfundoi me Musk-un që njoftoi se do të ndalonte financimin e OpenAI, të cilën e kishte mbështetur që nga themelimi në vitin 2015.
Dëshmia po jepet në kuadër të një gjyqi mes Musk dhe drejtuesit aktual të OpenAI, Sam Altman, që lidhet me transformimin e kompanisë nga një organizatë jofitimprurëse në një strukturë fitimprurëse.
Sipas Brockman, para largimit të tij nga OpenAI, Musk kishte tentuar të fitonte më shumë ndikim në kompani, duke ushtruar presion edhe ndaj bashkëthemeluesve të tjerë.
Avokatët e OpenAI kanë paraqitur mesazhe të vitit 2017 që tregojnë diskutime të brendshme mbi kushtet e mundshme të ndryshimit të strukturës së kompanisë.
Brockman deklaroi gjithashtu se Musk ishte në dijeni të planeve për ta kthyer OpenAI në një kompani fitimprurëse, fillimisht përmes një strukture të kombinuar, e cila më pas u ndryshua për të tërhequr investime të mëdha.
Në gjyq pritet të dëshmojë edhe Shivon Zilis, ish-anëtare e bordit të OpenAI dhe nëna e katër fëmijëve të Musk. Sipas Brockman, ajo i kishte bërë të ditur lindjen e binjakëve, por më vonë ai mësoi nga raportimet publike se Musk ishte babai i tyre.
Brockman shtoi se kompania kishte pasur besim tek Zilis për menaxhimin e çdo konflikti të mundshëm interesi gjatë kohës së saj në bord. Ajo u largua në vitin 2023, në një periudhë kur Musk kishte nisur kompaninë e tij të AI, xAI, e cila po zhvillon një chatbot konkurrues me ChatGPT.

