Merz tha se Irani po e poshtëron SHBA-në, Trump shqyrton reduktimin e pranisë ushtarake në Gjermani

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se po shqyrton mundësinë e uljes së numrit të ushtarëve amerikanë të stacionuar në Gjermani, përcjell TV21. Kjo deklaratë vjen pas një përplasjeje verbale me kancelarin gjerman Friedrich Merz lidhur me politikën ndaj Iranit.

“SHBA aktualisht po shqyrton mundësinë e reduktimit të pranisë sonë ushtarake në Gjermani. Vendimi do të merret shumë shpejt”, ka shkruar Donald Trump në profilin e tij në “Truth Social”.

Në vitin 2024, në Gjermani ishin të dislokuar mbi 35 mijë ushtarë amerikanë, ndërsa sipas mediave gjermane, aktualisht numri i tyre arrin rreth 50 mijë.

Të dy mandatet presidenciale të Donald Trump janë karakterizuar nga kritika të hapura ndaj NATO-s, si dhe nga njoftime për uljen e pranisë ushtarake amerikane në Gjermani dhe vende të tjera evropiane.

Deklarata vjen një ditë pasi Donald Trump kritikoi kancelarin Friedrich Merz, duke e akuzuar se “nuk di çfarë po flet” për Iranin, pasi ky i fundit kishte vlerësuar se Uashingtoni nuk ka një strategji të qartë dhe se Teherani po e poshtëron SHBA-në.

Pas shkëmbimit të deklaratave të ashpra, sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio zhvilloi një bisedë telefonike me ministrin e jashtëm gjerman Johann Wadephul. Në bisedë u diskutua situata me Iranin dhe nevoja për sigurimin e lundrimit të lirë në Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, Friedrich Merz u përpoq të zbusë tensionet, duke theksuar se marrëdhëniet me Donald Trump mbeten të mira, pavarësisht mosmarrëveshjeve për Iranin.

By admin2