Mexhiti: Premtimi bëhet realitet, nis rikonstruimi i “Mit’hat Frashërit”, një nga projektet kryesore infrastrukturore për Çairin

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, së bashku me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Orce Gjorgjievski, qëndruan sot në terren në segmentin ku javën e ardhshme do të nisin punimet për rikonstruimin e bulevardit “Mit’hat Frashëri”, një nga projektet kryesore infrastrukturore për Çairin. Pikat tashmë janë vendosur dhe gjithçka është gati për fillimin e punimeve.

Projekti përfshin një segment prej mbi 1.4 kilometrash, nga rruga “Xhon Kenedi” deri te bulevardet “Sllovenia” dhe “Bosnja e Hercegovina”. Bulevardi do të ketë katër korsi qarkullimi, trotuare, infrastrukturë për biçikleta, kanalizim atmosferik dhe ndriçim të ri publik, duke krijuar kushte dukshëm më të mira për qarkullim dhe duke modernizuar infrastrukturën në këtë pjesë të komunës.

“Një nga një, po i realizojmë projektet që i kemi premtuar për Çairin. Javën e ardhshme nis rikonstruimi i bulevardit ‘Mit’hat Frashëri’, një nga projektet kryesore infrastrukturore për komunën tonë. Ky është një projekt i madh që do të përmirësojë ndjeshëm qarkullimin dhe infrastrukturën në këtë pjesë të Çairit. Premtimet po i kthejmë në punë konkrete dhe do të vazhdojmë projekt pas projekti, deri në përmbushjen e plotë të zotimeve tona ndaj qytetarëve,” deklaroi Mexhiti.

Rikonstruimi i bulevardit “Mit’hat Frashëri” është pjesë e investimeve të mëdha infrastrukturore që po realizohen në Çair, me synim modernizimin e rrjetit rrugor, lehtësimin e qarkullimit dhe krijimin e një infrastrukture më funksionale dhe bashkëkohore për qytetarët.

By admin7