Kryeministri Hristijan Mickoski tha se pret që këtë muaj, ose muajin tjetër të nisin punët për ndërtimin e pjesës së dytë të autostradës Shkup-Bllacë, përcjell TV21. Mickoski tha se ky projekt me vite ka qenë vetëm premtim, ndërsa tani po realizohet.
Në lidhje me: Pjesa e II e autostradës Shkup-Bllacë do të kushtojë 198,4 milionë euro! Puna pritet të nisë në gusht, ndërtimi do të zgjasë 4 vjet
“Për vite me radhë, kjo autostradë ka qenë simbol i premtimeve të pa mbajtura. Gati çdo qeveri e ka paralajmëruar. Secila ka premtuar para zgjedhjeve se do të ishte ajo që do ta ndërtonte, dhe disa parti politike për vite me radhë rrihnin gjoksin duke thënë se kujdeseshin më shumë për këtë pjesë të shtetit. Në fund, gjithçka mbeti vetëm fjalë boshe, pasi u blenë disa parcela tokë përgjatë këtij seksioni të kësaj autostrade nga individë me prapavijë të dyshimtë dhe njerëz të lidhur me disa parti politike. Gjithçka tjetër, fatkeqësisht, mbeti vetëm premtime. Sot ndryshimi është i qartë dhe i dukshëm. Në vend të premtimeve të reja, kemi siguruar financimin, kemi nënshkruar kontratat, kemi zgjedhur kontraktorin dhe realizimi ka filluar. Pres që, nëse gjithçka shkon siç duhet, me Zotit para, këtë ose muajin tjetër, Koce, të fillojmë aktivitetet në terren dhe t’i përfundojmë”, tha Mikckoski.
Ministri i Transportit, Aleksandar Nikolloski tha se edhe pse në marrëveshje shkruan se punimet do të mbarojnë për 4 vjet, janë dakorduar me realizuesin që puna të mbarojë më herët.
“Do të thosha se pjesa më e lehtë ka mbetur pas nesh, ndërsa pjesa më e vështirë sapo po fillon – ndërtimi i kësaj autostrade. Afati i dakorduar, siç tha drejtori, është katër vjet, por ne kemi rënë dakord me kontraktuesin që ta përfundojmë më herët, në mënyrë që ta hapim këtë autostradë në kohën më të shkurtër të mundshme”, tha mes tjerash Nikolloski.
Drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski tha se projekti financohet me një grant prej 30,8 milionë eurosh dhe një hua prej 167,6 milionë eurosh. Segmenti i ri do të jetë 10,5 kilometra i gjatë, ndërsa së bashku me 1,5 kilometrat e ndërtuar më herët, autostrada nga nyja Stenkovec deri te kufiri do të arrijë në 12 kilometra. Projekti përfshin ndërtimin e pesë tuneleve, nëntë urave, 11 mbikalimeve, katër galerive dhe nëntë mureve mbajtëse.



