Mickoski: Nëse opozita kërkon zgjedhje të parakohshme, do të përgjigjemi pozitivisht dhe do t’i fitojmë

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka ripërsëritur qëndrimin e partisë së tij se vendi është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme parlamentare nëse një kërkesë e tillë zyrtarizohet nga opozita në Kuvend.

Mickoski theksoi se Qeveria aktuale e ka marrë mandatin nga qytetarët për një periudhë të plotë katërvjeçare, ndërsa zgjedhjet e rregullta parlamentare janë planifikuar për prill të vitit 2028.

Megjithatë, sipas tij, nëse opozita e bashkuar vendos që përmes Kuvendit të kërkojë zgjedhje të parakohshme, VMRO-DPMNE-ja do ta pranojë një kërkesë të tillë dhe do të hyjë në garë zgjedhore.

“A do të ketë zgjedhje të parakohshme? Unë tashmë jam përgjigjur në këtë pyetje. Kjo qeveri ka marrë besimin nga qytetarët që ta udhëheqë mandatin e plotë katërvjeçar. Ne kemi zgjedhje të rregullta të planifikuara për prill 2028”, deklaroi Mickoski.

Ai shtoi se opozita, nëse paraqet kërkesë zyrtare në Kuvend, do të marrë përgjigje pozitive nga VMRO-DPMNE-ja.

“Opozita, nëse paraqet kërkesë në suazat e Kuvendit, ja, kemi një opozitë të bashkuar. Këtu është koalicioni i udhëhequr nga BDI-ja dhe koalicioni i udhëhequr nga LSDM-ja dhe Levica në suazat e Kuvendit. Ne jemi këtu, do të përgjigjemi pozitivisht, do të mbajmë zgjedhje dhe do t’i fitojmë”, tha Mickoski.

Deklarata e kryeministrit vjen në një kohë kur në skenën politike po diskutohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, ndërsa Mickoski përsërit se prioritet i Qeverisë mbetet realizimi i mandatit të marrë nga qytetarët.