Mickoski niset për SHBA, takime në Senat, Kongres dhe Departamentin e Shtetit

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, sot niset për vizitë në Shtetet e Bashkuara, së bashku me një delegacion qeveritar.

Gjatë qëndrimit në Uashington, Mickoski pritet të zhvillojë takime në Senat, Kongres dhe Departamentin e Shtetit, si dhe me përfaqësues të institucionit financiar DFC, zyrtarë dhe organizata të njohura think-tank.

Mickoski do të udhëtojë edhe në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe do të zhvillojë takime dypalëshe me liderë të vendeve të ndryshme.

Ai tha se janë planifikuar takime me vende të rajonit dhe të Gjirit, ndërsa për momentin nuk është paraparë takim me delegacionin bullgar.

Sa i përket takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor, që zakonisht organizohet në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Mickoski tha se qëndrimet e Qeverisë për ndryshimet kushtetuese dhe garancitë nuk ndryshojnë në mënyrë të menjëhershme.

Ai theksoi se Qeveria ndjek një politikë të qartë dhe strategjike, duke synuar garanci afatgjata dhe duke shmangur, siç tha, “hapat e shfaqjes” në politikën e jashtme.