Mickoski: Një litër karburant dizel pa mbështetjen e Qeverisë do të ishte më i shtrenjtë për mbi 11 denarë

Në Ditarin Qendror të RTM-së ishte mysafir kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Hristijan Mickoski, i cili theksoi se në kushte të krizës globale energjetike, çmimet e karburanteve në Maqedoni janë bindshëm më të ulëtat në Evropë, me ç’rast, sipas tij, masat qeveritare dukshëm e zvogëlojnë goditjen mbi standardin e qytetarëve.

“Në momentin në botë po ndodh kriza më e madhe energjetike të cilën njerëzimi nuk e mban mend, në këto kushte çmimi që e kanë karburantet në Maqedoni është më i ulëti në Evropë, kur themi më i ulëti, është bindshëm më i ulëti në Evropë. Nëse bëhet krahasim me fqinjësinë, me Greqinë, me Shqipërinë, me Serbinë fqinje, ose nëse shkojmë më në veri drejt BeH-së, Malit të Zi, Kroacisë, Sllovenisë e kështu me radhë, do të shihni se çmimi i karburanteve te ne është nga 20 deri në 50% më i lirë, i krahasuar me atë që është në fqinjësi”, tha Mickoski.

Kryeministri Mickoski në paraqitjen e tij theksoi se pa masat qeveritare, karburanti i dizelit do të ishte më i shtrenjtë për 11 deri në 11,5 denarë për litër. Duke theksuar se kjo do të thotë kursim i drejtpërdrejtë prej më shumë se 250 mijë eurosh në ditë për qytetarët.

“Do t’ju jap një përllogaritje, ja për shembull për karburantin dizel. Karburanti dizel, po të mos ishin këto masa të Qeverisë, do të ishte më i shtrenjtë për 11 deri në 11,5 denarë për litër. Çfarë do të thotë kjo në para? Kjo do të thotë më shumë se 250 mijë euro në ditë, aq është kursimi me masat e Qeverisë që e bëjnë qytetarët; kur flas për kursim, flas për kursimin e drejtpërdrejtë. Kur kësaj t’ia shtojmë edhe benzinën pa plumb 95 dhe 98 oktanëshe, atëherë do të arrijmë në më shumë se 300 mijë euro kursim të drejtpërdrejtë në ditë për qytetarët“, theksoi Mickoski.