Kryeministri Hristijan Mickoski, në konferencën e sotme për media, deklaroi se nuk ka ndërmend të kandidojë për president të shtetit në zgjedhjet e vitit 2029 dhe porositi se pas përfundimit të mandatit si kryeministër do të kthehet në fakultet.
Këtë deklaratë ai e dha në kontekst të diskutimeve për Kodin e ri Zgjedhor, me ç’rast tha se po përhapen spekulime se propozimi i VMRO-DPMNE-së që diaspora të votojë në formë elektronike kishte lidhje me një kandidaturë të tij të supozuar presidenciale.
”Ja t’ua lehtësoj, nuk do të kandidoj. Kur të më përfundojë mandati si kryetar i Qeverisë, kthehem në fakultet mes studentëve. Nuk kam as ambicie dhe as dëshirë të tillë. Vetëm le të mundësojnë që diaspora ta realizojë të drejtën e saj të votës në formë elektronike, duke filluar nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale”, deklaroi Mickoski.
Ai shtoi se VMRO-DPMNE është e gatshme t’i pranojë të gjitha kërkesat e LSDM-së dhe të Majtës (Levica) sa i përket Kodit Zgjedhor, përveç kërkesës që mos të vendoset votimi elektronik për mërgimtarët.
Mickoski drejtoi kritika ndaj partive politike të cilat, siç tha ai, “një gjë flasin pas perdes, e një tjetër bëjnë para perdes”.
Sipas tij, vija e kuqe për VMRO-DPMNE-në mbetet mundësimi që diaspora të votojë në formë elektronike në zgjedhjet presidenciale të vitit 2029.

