Njohësi i çështjeve të drejtësisë, Ehat Miftaraj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale, duke krahasuar zhvillimet e fundit në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe Malit të Zi me situatën në Kosovë.
Sipas Miftarajt, ndërsa Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë të ditur se dialogu strategjik me Kosovën do të zhvillohet pasi të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj komunitetit serb, Shqipëria dhe Mali i Zi po vazhdojnë të shënojnë përparim në negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Ai tha se më 14 korrik 2026, Shqipëria mbylli përkohësisht tre kapituj të negociatave. Ndërkohë, Mali i Zi mbylli edhe dy kapituj të tjerë – Kapitullin 8 (Politika e konkurrencës) dhe 29 (Bashkimi doganor), duke arritur në 18 kapituj të mbyllur përkohësisht.
Në kontrast me këto zhvillime, Miftaraj ironizon se gjatë shtatë viteve të qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë janë “mbyllur” procese të tjera.
Në postimin e tij, ai përmend blerjen e banesës së ish-ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, blerjen e një shtëpie nga ministrja Arbërie Nagavci, kontratat e konsulencës në Ministrinë e Drejtësisë, tenderët në KEK, blerjen ose marrjen me qira të veturave zyrtare për Kryeministrin, si dhe kritikon opozitën, për të cilën thotë se është e angazhuar më shumë në emisione televizive dhe vizita turistike sesa në ushtrimin e rolit të saj politik.



