Misterit i vjen fundi: Duane “Keffe D” shpallet fajtor për vrasjen e Tupac Shakur

Duane “Keffe D” Davis është shpallur fajtor për organizimin e vrasjes së legjendës së hip-hopit, Tupac Shakur. Vendimi shënon një pikë kthese në një prej rasteve më të bujshme dhe më të ndjekura në historinë e muzikës rap.

Një juri në Las Vegas e ka shpallur fajtor 63-vjeçarin Duane “Keffe D” Davis për vdekjen e reperit të famshëm, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Shakur u qëllua në një atentat me makinë në Las Vegas më 7 shtator 1996, dhe si pasojë e plagëve të marra, ai humbi jetën në moshën 25-vjeçare. Për afro tri dekada, vrasja e tij mbeti një prej mistereve më të mëdha të botës së hip-hopit.

Davis, ish-kreu i një bande, qëndroi i heshtur dhe i paemocionuar në sallën e gjyqit, i veshur me një kostum të zi, teksa u lexua vendimi. Pas shpalljes së fajësisë, ai deklaroi se do ta apelojë vendimin.

Në sallën e gjyqit, familjarët e Tupac Shakur u panë të emocionuar. Disa prej tyre u kapën për dore, ndërsa të tjerë u përqafuan dhe shpërthyen në lot pas leximit të verdiktit.

Tupac Shakur, një prej figurave më me ndikim në historinë e hip-hopit, u vra në kulmin e karrierës së tij. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë albume dhe regjistrime muzikore në mbarë botën, duke lënë pas një trashëgimi që vazhdon të ndikojë te artistët edhe dekada pas vdekjes së tij.

Rasti i vrasjes së tij ka mbetur për vite me radhë objekt i teorive të shumta dhe spekulimeve, ndërsa fansat e reperit kanë kërkuar vazhdimisht përgjigje për atë që ndodhi natën e 7 shtatorit 1996 në Las Vegas.

By admin7