Nën dyshimet për marrje ryshfeti janë arrestuar dy mjekë të spitalit në Vushtrri.
Të arrestuarit janë Ekrem Sefiu dhe Valdet Rexhepi, të cilët kishin kërkuar dhe pranuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Siç njofton Prokuroria Themelore në Mitrovicë, sipas dyshimeve fillestare, i dyshuari Ekrem Sefiu në tri raste, ndërsa i dyshuari Valdet Rexhepi në pesë raste, kanë kërkuar para nga qytetarët për ofrimin e shërbimeve shëndetësore.
Me vendim të prokurorit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa brenda afatit ligjor do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së sigurisë për të ndaluarit, raporton Paparaci.
Mjekët e arrestuar në Vushtrri kishin edhe raste të mëhershme për ryshfet.
Në vitin 2017, kirurgu Valdet Rexhepi, i akuzuar për “marrje të ryshfetit” ishte shpallur fajtor nga Gjykata Themelore e Mitrovicës. Për dy pikat e aktakuzës me të cilat ngarkohej, Rexhepi ishte dënuar me dënim unik prej 6 muaj burgim efektiv.
Sipas aktit akuzues, Rexhepi, si kirurg i përgjithshëm në Spitalin “Sheik Zayed”, e i angazhuar me punë në Spitalin Rajon “Dr. Sami Haxhibeqiri”, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim material në mënyrë që të veprojë në pajtim me detyrën e tij.
Në njërin rast, i pandehuri kishte marrë 150 euro nga i dëmtuari Bahtir Jonuzi, në mënyrë që ta operojë gruan e këtij të fundit. Në rastin e dytë, i pandehuri kishte marrë 100 euro nga i dëmtuari Ajet Dajaku, për një fotografim që i ishte bërë gruas së tij, Valdete Gashit.
Edhe mjeku Ekrem Safiu ishte arrestuar më parë për të njëjtën vepër penale.
Në aktakuzën e publikuar thuhej se i pandehuri Ekrem Sefiu akuzohet se më 27 shtator 2022 në Spitalin “Sheik Zayed” në Vushtrri, në cilësinë e doktorit/kirurg, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka kërkuar dhe pranuar përfitim material për veten për të vepruar sipas detyrës së tij si kirurg, ashtu që për operim kirurgjik të pacientes E.B., nga djali i saj F.B., ka marrë para në vlerë prej 140 euro kinse për blerje të pajisjeve mjekësore për operim. Kjo thuhet se vërtetohet me video-incizimin e asaj date.
Me këto veprime, sipas aktakuzës Sefiu ngarkohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”, nga neni 421, paragrafi 1 të Kodit Penal.




