Lëvizja qytetare “Më mirë për Tetovën” (MMPT) ka reaguar ndaj manifestimit të organizuar dje nga Komuna e Tetovës, duke e cilësuar si të papranueshëm përdorimin e punëtorëve të NPK “Tetova” për, siç thonë, promovim politik të pushtetit, përcjell tetova1
“Punëtorët e NPK ‘Tetova’, të cilët paguhen nga paratë publike dhe me dinjitet i shërbejnë qytetit, nuk duhet të keqpërdoren si dekor për PR politik të pushtetit”, thuhet në reagimin e MMPT-së.
Nga kjo lëvizje theksojnë se institucionet dhe ndërmarrjet publike nuk janë pronë e askujt dhe se punëtorët nuk duhet të kushtëzohen apo instrumentalizohen për qëllime politike.
MMPT ka ngritur pikëpyetje edhe rreth mënyrës së organizimit të manifestimit, duke iu referuar pankartës së madhe me elemente vizuale që, sipas tyre, janë të identifikueshme me VLEN-in dhe mbishkrimin “FALEMINDERIT”.
“Duket qartë se vetë drejtuesit e pushtetit, në mënyrën më të ulët, organizojnë ‘falënderimin’ për veten”, shprehet MMPT, duke kërkuar sqarime se kush i ka financuar pankartat dhe materialet e përdorura gjatë manifestimit.
“Me paratë e NPK-së? Me paratë e Komunës? Apo me paratë e partisë? Publiku ka të drejtë ta dijë”, thuhet më tej në reagim.
MMPT thekson se punëtorët e NPK “Tetova”, veçanërisht ata që janë më të prekur nga problemet në ndërmarrje, meritojnë paga të rregullta, kontribute të paguara, sigurim shëndetësor, kushte të mira pune, respekt dhe siguri.
“Nëse puna e tyre është vërtet e çmuar, le t’u dëshmohet kjo çdo ditë përmes trajtimit dinjitoz dhe menaxhimit të përgjegjshëm të ndërmarrjes, e jo përmes shfaqjeve ku pushteti organizon manifestime për ta duartrokitur veten”, theksojnë nga MMPT.
Në fund, MMPT e mbyll reagimin me mesazhin: “NPK ‘Tetova’ nuk është pronë e askujt politikisht, ndërsa punëtorët nuk janë material për PR partiak. Kjo mënyrë e keqpërdorimit të tyre është e papranueshme!”/tetova1.mk



