Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të lehta deri në mesatare. Megjithatë, gjatë orëve të pasdites në disa rajone pritet mot jostabil me reshje të rrëmbyeshme shiu, bubullima, erëra të forta dhe mundësi për breshër të izoluar.
Sipas parashikimeve meteorologjike, do të fryjnë erëra të lehta deri në mesatare. Në pjesët perëndimore të vendit era do të jetë nga drejtimi perëndimor, ndërsa përgjatë luginës së Vardarit nga juglindja.
Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 16 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 25 deri në 32 gradë.
Në Shkup moti do të jetë me diell dhe me vranësira të lehta deri në mesatare. Gjatë pasdites në disa pjesë të luginës priten kushte për paqëndrueshmëri atmosferike të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe bubullima.
Meteorologët rekomandojnë kujdes gjatë orëve të pasdites, veçanërisht në zonat ku mund të ketë stuhi lokale dhe erëra të përforcuara.


