Këshilltari komunal në Komunën e Butelit, Armend Murseli, ka reaguar ashpër ndaj vendimit që fëmijët e Çairit të mund të regjistrohen në shkollën fillore “Petar Zdravkovski-Penko” vetëm nëse kanë vëllezër apo motra të regjistruar më herët në këtë shkollë.
Murseli u është drejtuar publikisht edhe zv.ministrit, edhe kryetarit të Komunës së Butelit, duke kërkuar që të mos manipulohet me opinionin publik dhe që të respektohen ligji dhe vendimi për rajonizim.
“Mjaft me manipulime, mjaft me gënjeshtra. Duhet të hapet paralelja shqipe. Pikë.”
Sipas Murselit, ndonëse mbrëmë është deklaruar se çështja është zgjidhur, sot situata në terren tregon të kundërtën.
“Mbrëmë u zgjidh problemi, sot nuk u zgjidh. Paralelja vazhdon të jetë e mbyllur, i nderuar zv.ministër, ndërsa fëmijët e Çairit do të regjistrohen me përjashtim, vetëm ata të cilët kanë vëllezër e motra të regjistruar më herët në këtë shkollë.”
Ai ka kritikuar edhe mënyrën se si, sipas tij, po prezantohet kjo çështje në opinion.
“Mos u ngutni me entuziazëm të jepni lajme sikur kjo çështje është zgjidhur. Më pak reklamë, më shumë përgjegjësi.”
Murseli i është drejtuar më pas kryetarit të Komunës së Butelit, duke kërkuar respektimin e ligjit dhe të vendimit për rajonizim.
“Ta thashë dje në seancë, po ta them edhe sot qartë dhe me fakte: respekto ligjin dhe vendimin për rajonizim. Mos u merr me deklarata manipulative se në Këshill u paska sjellë vendim. Për çfarë është sjellë vendim? Për të mos u pranuar fëmijët e Çairit në ‘Penko’? Për të mbyllur paralelen e gjuhës shqipe në ‘Penko’?”
Këshilltari Murseli thotë se qëndrimi i kryetarit të Komunës së Butelit është bërë i qartë gjatë seancës së djeshme të Këshillit.
“Dje e pamë se cili është qëndrimi dhe qëllimi yt. Pa fakte, pa argumente, votove kundër paraleles. Votove kundër fëmijëve të cilët me gëzim e kanë pritur ditën e parë të shkollës, e ju atë gëzim ua kthyet në zhgënjim. Ata do t’ju mbajnë mend për gjithë jetën.”
Murseli kërkon gjithashtu respektimin e nenit 7, për të cilin thotë se ua mundëson fëmijëve të Çairit regjistrimin në shkollën “Petar Zdravkovski-Penko”.
“Respekto nenin 7 që ti e ke votuar, e që ua mundëson fëmijëve të Çairit regjistrimin në ‘Penko’.”
Në fund, Murseli e ka përmbledhur kërkesën e tij me një mesazh të drejtpërdrejtë:
“Pranoji ata dhe ktheje paralelen që e mbylle. Aq.”



