Koalicioni VLEN ka deklaruar se po realizohet një nga premtimet kryesore të tij për kufizimin e lojërave të fatit, pas miratimit të Ligjit të ri për lojërat e fatit.
Sipas këtij ligji, kazinotë dhe objektet e lojërave të fatit do të duhet të jenë të paktën 500 metra larg shkollave fillore dhe të mesme, me qëllim mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga ekspozimi ndaj bixhozit.
VLEN thekson se me ndryshimet e reja pritet ulje e numrit të objekteve të lojërave të fatit deri në 75% në nivel vendi, ndërsa në disa komuna si Çairi kjo shifër mund të arrijë deri në 90%.
Siç thanë, Ligji parashikon gjithashtu kushte më të rrepta për licencim, ndalim të reklamimit që promovon bixhozin si stil jetese apo sukses, si dhe kufizime në përdorimin e figurave publike në fushata promovuese. Po ashtu forcohet mbikëqyrja shtetërore dhe rriten detyrimet financiare për kompanitë e këtij sektori.
“Po ashtu, historike është mbyllja e 358 platformave ilegale online deri më tani.
Beteja jonë nuk ndalet këtu. VLEN ka filluar të merret edhe me kompanitë e kredive të shpejta, të cilat shpesh krijojnë përshtypjen se funksionojnë në të njëjtin zinxhir me kazinotë. Njëra e zhyt qytetarin në varësi, tjetra në borxh. Të dyja bashkë e varfërojnë familjen dhe e dobësojnë shoqërinë.
Në vend të kazinove pranë shkollave, zgjedhim shkollën dhe arsimin”, tha Muhamed Murtezi.

